Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim me të cilin ka refuzuar kërkesën e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, në rastin ku ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Nagavci po akuzohet se më 21 mars të 2018-ës, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës në të cilën ishte hedhur gaz lotsjellës, gjatë kontrollimit nga policia asaj i ishte gjetur një sprej ngjyrë e gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata ka konsideruar se kërkesa e të pandehurës Nagavci për hudhje të aktakuzës nuk është e mbështetur në asnjë provë dhe nuk mund të merret vendim për hudhje të aktakuzës.
“Pretendimi i të pandehurës që në këtë fazë të hedhet aktakuza, del të jetë i pabazuar ngase gjykata vlerëson se duhet të vazhdohet me procedurën”, thuhet në vendim.
Po ashtu, sipas këtij vendimi Gjykata Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Prokuroria nëse ekzistojnë prova të tjera që do të mund të administroheshin në këtë çështje, të parashtrohen, në mënyrë që të sqarohen rrethanat lidhur me kryerjen e veprës penale të parashtruar me aktakuzën e Prokurorisë.
Tutje, në vendim thuhet se nga kundërshtimi i të pandehurës, gjykata vlerëson se nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme se përse provat në të cilat mbështetet aktakuza janë thelbësisht të pambështetshme dhe se ato i përkasin kategorisë nga paragrafi 1.3, i nenit 249 të Kodit të Procedurës Penale.
Lidhur me këtë vendim, “Betimi për Drejtësi” ka provuar të kontaktojë edhe ministren Nagavci, mirëpo e njëjta deri tani nuk është përgjigjur.
Në seancën fillestare të mbajtur më 10 qershor 2022, Nagavci ishte deklaruar e pafajshme lidhur me veprën penale që i vihet barrë.