Kur qielli fillon të errësohet që në orën 16:00 – 17:00 pasdite, humori juaj mund të perëndojë bashkë me diellin.
Sytë fillojnë e ju rëndojnë, dhe gjithçka që mund të dëshironi të bëni është të mbështilleni me batanijen tuaj të preferuar dhe të flini gjumë.
Por, nuk jeni vetëm! Kjo është një periudhë e vështirë për shumë njerëz.
Zgjatja e orëve pa diell dhe ndryshimi i orës, mund të shkaktojë një sërë efektesh në shëndet, si për shembull sulmet në zemër.
Kjo është diçka çorientuese, dhe njerëzit do të vazhdojnë të përballen me këto ndryshime të pakëndëshme dy herë në vit.
Fatmirësisht, studimet kanë treguar se ritmi cirkadian i njeriut, një cikël 24-orësh që rregullohet nga ora e brendshme e trupit tuaj, përshtatet më lehtë me tranzicionin e vjeshtës sesa me atë të pranverës.
Përfitoni nga orët me diell
Këshilla më e mirë për ata që përgjumen shpesh është që të ekspozohen sa më shumë në diell.
Përfitoni nga orët me diell të ditës, dhe veçanërisht në orët e para të pasdites.
Ekspozimi në atë kohë vonon ndjesinë e gjumit, që do të thotë se ju ndihmon të qëndroni zgjuar deri vonë.
Nëse mundeni, planifikoni një shëtitje 30-minutëshe jashtë para perëndimit të diellit. Edhe qëndrimi ulur pranë dritares mund të ndihmojë.
Përmbajuni orareve të rregullta të rutinës së zakonshme
Ndërsa errësohet më shpejt, ju mund ta gjeni veten të uritur më herët.
Është e rëndësishme të luftoni dëshirën për të ngrënë vaktin e fundit të ditës shumë herët.
Kjo mund t’ju bëjë të përgjumeni më shpejt se sa do të dëshironit, ose t’ju bëjë të hani më vonë, gjë që mund të pengojë edhe cilësinë e gjumit.
Studimet kanë treguar se ritmi juaj cirkadian ndikon në aftësinë e trupit për të përpunuar në mënyrë efikase ushqimin.
Kini kujdes që të mos konsumoni kafeinë vonë gjatë ditës, sepse edhe kjo mund të ndikojë në ciklin tuaj të gjumit.
Mos i ndërroni as rutinat e tjera. Për shembull, mbani të njëjtin orar për regjimin e kujdesit të lëkurës edhe nëse jeni të përgjumur një orë më parë, për shkak të ndryshimit të orës.
Blloko rrezet e diellit në mëngjes
Nëse lindja e hershme e diellit ju bën të zgjoheni herët, tani mund të jetë koha më e mirë për të bllokuar rrezet e diellit me perde të errëta.
Bllokimi i dritës herët në mëngjes mund të jetë veçanërisht e dobishme për fëmijët e vegjël, të cilët priren të ngrihen me diellin dhe nuk u intereson çfarë thotë ora.
Nëse këto këshilla dështojnë, përqafoni letargjinë
Duam apo jo, dimri po vjen. Nëse gjithçka në planin tuaj dështon, rehatohuni: Merrni një batanije, ndizni një qiri, shtrihuni në divan për të parë një film ose luani një lojë tavoline me të dashurit tuaj.
Jepini vetes mundësinë për tu relaksuar ashtu siç keni nevojë ju. /Agroweb/