Departamenti i Shtetit: Jemi të zhgënjyer që nuk pati marrëveshje mes Kosovës e Serbisë në Bruksel

Në një deklaratë, Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ka thënë se SHBA-ja është e zhgënjyer që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dështuan që të pajtoheshin me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, të hënën për një zgjidhje për krizën e tanishme në Kosovë.

“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të punojë me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell,, dhe përfaqësuesin e posaçëm, Lajçak, për të arritur një kompromis të drejtë. Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq do të duhet të bëjnë koncesione për t’u siguruar që ne të mos i rrezikojmë dekadat e paqes së fituar me vështirësi në një rajon tashmë të brishtë”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

“Ne i bashkohemi BE-së në thirrjen ndaj Kosovës që menjëherë t’i pezullojë masat e planifikuara që do t’i eskalonin tensionet, përfshirë shqiptimin e gjobave për vetura”- thuhet më tej në deklaratë.

“Të dyja palët duhet të përmbahen nga ndërmarrja e hapave provokues, t’i përmbushin obligimet e tyre nën dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme”, përmbyllet deklarata e DASH-it.