Kusari-Lila iu drejtohet serbëve të Kosovës: Ish-deputetët nuk ju përfaqësuan

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila iu drejtua sot qytetarëve serbë nga Kuvendi i Kosovës.

Me një mesazh në gjuhën serbe, Kusari-Lila u bëri thirrje qytetarëve që janë larguar nga institucionet e Kosovës në ditët e fundit, që të rikthehen në këto institucione.

Që nga 5 nëntori dhe në ditët në vazhdim, serbë të Kosovës kanë ofruar dorëheqje nga institucione të ndryshme, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave të makinave në pjesën veriore të vendit.

Ndër ta edhe dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre.

Lidhur me këta deputetë, deputeti Kusari-Lila, tha se nuk kanë përfaqësuar denjësisht serbët e Kosovës.

“Ata asnjëherë gjatë këtij mandati nuk adresuan nevojat dhe nuk folën për interesat e qytetarëve serbë të Kosovës”, tha Kusari-Lila, duke shtuar se “ata kanë zgjedhur të përfaqësojnë autoritetin e regjimit në Serbi”

Rikujtojmë se tashmë presidentja e vendit ka dërguar kërkesë në Komisionin Qendror Zgjedhor që të rekomandojë zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr.

Pas fjalimit të deputetes së pozitës, shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare e kritikuan qeverinë për situatën në katër komunat veriore të Kosovës dhe largimin e qytetarëve serbë nga institucionet.

Ata i kërkuan qeverisë të marrë parasysh kërkesat e faktorit ndërkombëtar që të shtyhet zbatimi i planit trefazësh që parasheh masa ndëshkuese për qytetarët që nuk ndërrojnë targat e makinave.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se duhet pasur kujdes për të mos u “zhbërë progresi i arritur në integrimin e asaj pjese të vendit”.

“Jeni përgjegjës për mirëmbajjten dhe ushtrimin e sovranitetit edhe në atë pjesë të vendit tonë. Ne do të ju mbështesim deri në atë moment që ju nuk do të hiqni dorë nga ajo pjesë e vendit tonë”, tha Tahiri.

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, tha se qeveria është fajtore që “sot në pjesën veriore të republikës kemi më pak institucione të Republikës”.

“Kryeministri ka për detyrë të garantojë partneritetin ndërkombëtar”, tha Gashi, duke ju referuar refuzimit të kërkesave të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e zbatimit të planit të targave.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se përveç se duhet të respektohen kërkesat e ndërkombëtarëve, qeveria duhet të ketë edhe dialog intensiv me serbët e Kosovës dhe opozitën.

Çfarë është plani për targat?

Që nga paslufta, më 1999, në katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq – qarkullojnë makina me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, të cilat janë ilegale me ligjet në Kosovë.

Qeveria e Kosovës, me në krye Albin Kurtin, po përpiqet të bëjë riregjistrimin e tyre me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Por, shumica e pjesëtarëve të komunitetit serb në veri refuzojnë ta bëjnë këtë. Ata kanë edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar, i cili këmbëngul në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja i kërkuan Kurtit shtyrjen e riregjistrimit të makinave, por, në vend të kësaj, Kurti doli me një plan prej tri fazash, i cili filloi të zbatohet më 1 nëntor dhe do të përfundojë në prill të vitit të ardhshëm.

Në fazën e parë, shoferët e makinave me targa të paligjshme qortohen, në të dytën gjobiten me 150 euro dhe në të tretën do t’iu kërkohet të pajisen me targa provuese.
Nga 21 prilli, ndërkaq, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.