Gjykata aprovon kërkesën e Prokurorisë, urdhëron sekuestrimin e përkohshëm të vilave në Brezovicë

Gjykata Themelore në Pejë ka lëshuar urdhër për sekuestrimin e përkohshëm të pronave në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, të cilat janë ndërtuar kundërligjshëm.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti, e cila tha se urdhri është lëshuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

“Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe ka lëshuar urdhër për sekuestrim të përkohshëm të pronave në Parkun Kombëtar Sharri në Brezovicë”, deklaroi Zhuti.

Lista prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë.

Këto vila të sekuestruara, në Gjykatën Themelore në Ferizaj rezulton se janë ndërtuar në Zonën e dytë në Parkun Kombëtar “Sharri” – Zona e Brezovicës, në të cilën ndalohet ndërtimi me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Sipas dokumenteve zyrtare të Prokurorisë Themelore në Ferizaj të dorëzuara në Gjykatë, thuhet se sipas këtij ligji, Zona e dytë e këtij Parku karakterizohet me ekosisteme, vlera peisazhore dhe vlera tjera të natyrës, ku mund të ushtrohet eko-turizmi, bujqësia tradicionale dhe veprimtari, të cilat nuk janë në kundërshtim me qëllimet e Parkut, kurse është e ndaluar ndërtimi i çfarëdo objekti për banim.