Në konferencën e 15-të mbi ecurinë në çështjen, ku për krime lufte, po akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, gjykatësi Nicolas Guillou, tha se lidhur me materialin shfajësues, mbrojtja ka ngritur shqetësimin e nxjerrjes me vonesë nga prokuroria.
Sipas tij, mbrojtja ka përmendur dy paketa të nxjerra shtesë të nxjerra me 1 dhe 24 tetor 2022 që përmbajnë një sërë materialesh shfajësuese dhe se mbrojtja ka bërë të ditur se shumica dërrmuese e tyre kanë qenë në zotërim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për një kohë të konsiderueshme .
Ai tha se kanë kërkuar të bëhet konstatim shkelje për ZPS për mospërmbushje të obligimeve dhe të rivendoset një afat për ZPS për të finalizuar vlerësimin e materialit shfajësues brenda 1 muaji.
Avokati Gregory Kehoe, që mbron Thaçin, tha se nxjerrja e këtyre materialeve është bërë me vonesë pavarësisht qortimeve të gjykatësit se duhet të bëhet nxjerrja menjëherë.
“Nuk di si ta rregullojmë këtë me përjashtim të ndonjë sanksioni që mund të vendoset sepse ka një sërë dokumentesh që vazhdojnë na dorëzohen”, tha ai.
Ai tha se ZPS ka rivendosur dëshmitarët dhe e dinë se edhe në nëntor të 2020, Prokurori i Specializuar, Jack Smith u ka thënë ndërkombëtarëve se ka pasur 37 kërkesa për zhvendosje të dëshmitarëve.
“Sa shtyta i janë dhënë dëshmitarëve për t’i nxitur të dëshmojnë”, pyeti ai.
Ai tha se nuk kanë asnjë informacion sa i përket kërkesave për zhvendosje të vendbanimit të dëshmitarëve dhe kjo paraqet problem, si dhe shtoi se ata e dinë se kjo është duke u bërë dhe duhet të jepet urdhër nga gjykata që ZPS t’i dorëzoj këtë informacion mbrojtjes.
Sipas tij, e vetmja gjë që dinë është se Smith u ka thënë ndërkombëtarëve në nëntor të vitit 2020 se ka kërkesa të tilla.
Më pas përmbajtja u redaktua, kurse u kalua në seancë private kur mori fjalën avokati i Veselit, Ben Emmerson, pasi ky i fundit parashtroi një kërkesë të tillë.
Ndryshe, gjykatësi paraprakisht në fillim të konferencës ka deklaruar se synon që dosjen t’ia kaloj trupit gjykues deri në fund të këtij viti.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.
Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.
Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.
Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.