Bashkimi Evropian ka përgatitur një paketë prej 1 miliard euro për të ndihmuar Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që ta adresojnë pasojat e krizës energjetike, raporton Express.
Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, në Samitin e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian vazhdon të qëndrojë prapa Ballkanit Perëndimor.
“BE vazhdon të qëndrojë prapa Ballkanit Perëndimor – si në kohë të mira ashtu edhe në vështirësi. Gjatë pandemisë COVID-19, ne mobilizuam një paketë të pashembullt prej 3.3 miliardë eurosh për rajonin dhe sot po krijojmë një paketë mbështetjeje energjie prej 1 miliardë eurosh për të mbrojtur grupet më të cenueshme dhe për të nxitur investimet shumë të nevojshme në diversifikimin e energjisë”, ka deklaruar ajo.
Mbështetja buxhetore prej 500 milionë euro pritet të miratohet në dhjetor dhe të jetë e disponueshme në janar.
“Në një periudhë të menjëhershme, Komisioni është i gatshëm të sigurojë mbështetje buxhetore prej 500 milionë euro, e cila do të miratohet në dhjetor dhe do të jetë e disponueshme në janar. Kjo shumë do të mbështesë familjet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të mbrojtur kundër rritjes së çmimit të energjisë dhe ndikimit të tyre”, thuhet në njoftim.
500 milionë eurot e tjera pritet të ndahen në 3 vitet e ardhshme.
“Në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, Komisioni do të sigurojë 500 milionë euro të tjera për të avancuar në diversifikimin e energjisë, prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe ndërlidhjet e gazit dhe energjisë elektrike përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Masat afatshkurtra (1-2 vitet e ardhshme) do të mbështesin diversifikimin e furnizimeve me energji, duke nxitur ndërlidhjet e gazit dhe energjisë elektrike, duke përfshirë LNG-në, si dhe duke mbështetur ndërtimin e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe masat e efiçiencës së energjisë. Ndihma afatmesme (2-3 vitet e ardhshme) do të përfshijë investime të tjera që kontribuojnë në tranzicionin dhe sigurinë e energjisë. Këto masa do të mbulojnë projektet e prodhimit të energjisë së rinovueshme në shkallë të gjerë, përmirësimin e sistemeve të transmetimit të energjisë, ngrohjen qendrore dhe skemat për efiçencën e energjisë për blloqet e vjetra të banimit”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.
Ndryshe, Bashkimi Evropian pritet të ndajë 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike.
Kështu ka bërë të ditur Von der Leyen, e cila vizitoi Kosovën më 27 tetor.
“Ne do të finalizojmë të gjitha procedurat e nevojshme deri në fund të vitit që ju të mund të merrni fondin që në janar”, tha ajo në një konferencë të përbashkët pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.