Konsumatorët ia kanë borxh “Termokosit” 18 milionë euro

Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka-Fejzullahu, ka bërë të ditur se borxhi total i konsumatorëve që nga paslufta e deri më tani ka arritur deri në 18 milionë euro.

Ajo ka sqaruar se këto borxhe po mundohet që t’i inkasojnë përmes padive nëpër gjykata.

Tutje, Uka-Fejzullahu në një intervistë për Ekonomia Online theksoi se lagja e parë që përfiton prej projektit i zgjerimit të rrjetit do të jetë Mati 1, lagja Arbëria, Qendra, Dardani, Ulpiana dhe Bregu i Diellit me 86 objekte të vjetra banesore.

“Borxhi total i konsumatorëve që nga paslufta e deri më tani ka arritur shifrën 18 milionë euro megjithatë është duke u punuar që këto borxhe për t’i inkasuar përmes padive nëpër gjykata”.

“Në lagjen Mati1 e cila është lagja e parë që përfiton prej projektit tashmë ka filluar furnizimin me ngrohje për disa objekte banesore. Është një lloj testimi për këto objekte banesore. Për pjesën tjetër të objekteve banesore të kësaj lagjeje të cilat nuk e kanë përfunduar pjesën e rrjetit sekondar dhe arritjen e gypave për furnizim me ngrohje”.

“Sipas këtij projekti për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes është Mati1, lagja Arbëria, pjesa e parkut të qytetit dhe në kuadër të këtij projekti do të ketë densifikim të ngrohjes për 86 objekte të vjetra banesore lagjen Qendër, Dardania, Ulpiana dhe Bregu i Diellit”.

Ndërsa, ajo sqaroi se në këtë projekt nuk është e përfshirë Fushë-Kosova dhe Obiliqi sepse sipas ligjit Termokosi është i obliguar të operojë vetëm brenda qytetit të Prishtinës.

“Për Obiliqin dhe Fushë-Kosovën nuk është në projeksione tona për shkak se Termokosi është ndërmarrje publike dhe si e tillë në bazë të ligjit jemi të obliguar të operojmë vetëm brenda qytetit të Prishtinës”, tha Uka-Fejzullahu.