Ministria e Ekonomisë ka publikuar një vegëz në të cilën ka thënë se qytetarët mund të shohin se sa është subvencionuar fatura e tyre e energjisë, qëkur shteti ka nisur ta subvencionojë rrymën.
Sipas vendimit në fillim të vitit, Qeveria qe zotuar për subvencionim të pjesshëm të faturave, pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të tarifave.
Në një njoftim të Ministrisë së Ekonomisë, bëhet e ditur se në periudhën shkurt-shtator sivjet subvencionimi nga Qeveria kap vlerën e mbi 50 milionë eurove. Sipas njoftimit, nga masa kanë përfituar mbi 530 mijë konsumatorë.
Pos këtij subvencionimi, Qeveria ka dy muaj që ka njoftuar se do t’i subvencionojë edhe kursimtarët e energjisë. Megjithatë, për këtë nuk është parë ndonjë njoftim nga Qeveria apo edhe në faturat e KEDS-it, si në shtator ashtu edhe në tetor.