Sasi të vogla të mykut ndodhen kudo, në ajër ose në sipërfaqe të ndryshme.
Lavamanët që kanë rrjedhje, dritaret e izoluara dobët, kuzhina, bodrumi dhe dushi janë disa nga vendet më të zakonshme ku krijohet myku.
Llojet e dëmshme të mykut mund të shkaktojnë alergji, helmin ose infeksione patogjene.
AgroWeb.org në këtë artikull ju njeh me efektet e padëshirueshme shëndetësore, që lidhen me praninë e mykut në ambientin ku jetoni ose punoni.
Si ndikon myku në trupin tuaj?
Simptomat më të shpeshta të lidhura me mykun, janë alergjitë dhe astma. Simptomat e ekspozimit ndaj mykut varen nga personi, gjatësia e ekspozimit dhe llojet e mykut.
Gjithashtu ato ndryshojnë nga njëri person në tjetrin, sepse gjenetika individuale luan një rol në mënyrën se si trupi juaj reagon kur ekspozoheni ndaj tij. Por mbetet e vështirë t’i atribuohet çdo simptomë vetëm pranisë së lagështirës dhe mykut.
Kjo për shkak se ekspozimi mykut mund të shoqërohet njëkohësisht me ekspozimin ndaj mikrobeve ose baktereve, të cilat mund të shkaktojnë probleme më vete, ose mund të përkeqësojnë sëmundjet ekzistuese. Kjo është arsyeja se pse mund të jetë sfiduese marrja e një diagnoze.
Sidoqoftë, studime të ndryshme ku AgroWeb.org mbështetet, kanë zbuluar lidhje të mundshme midis simptomave të mëposhtme dhe ekspozimit ndaj mykut.
Probleme me frymëmarrjen dhe mushkëritë
Kollitja, rrjedhja e hundëve, ethet ose gulçimi shoqërohen zakonisht me ekspozimin e mykut të të gjitha llojeve.
Kujtesë e dobët
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj mykut në ambientet e banimit ose të punës, mund të dobësojnë kujtesën tuaj dhe të përkeqësojnë sëmundje të tilla si ajo e Alzheimerit. Megjithatë studimet ende nuk kanë dalë në përfundime të sigurta.
Lodhje kronike
Sindroma e lodhjes kronike, ka një lidhje të fortë mes pranisë së baktereve ose mikrobeve dhe ekspozimin ndaj mykut. Një studim i vitit 2013 ku AgroWeb.org u bazua, zbuloi se 93% e atyre me lodhje kronike rezultuan pozitivë për praninë e tyre në organizëm.
Probleme me sistemin tretës
Të vjellat, diarreja dhe dhimbjet e barkut janë simptoma të problemeve me tretjen, që lidhen edhe me ekspozimin ndaj ambienteve me prani të mykut.
Sa më gjatë të jetoni ose të punoni në ambiente ku ka prani të mykut, aq më serioze mund të bëhen simptomat tuaja. Nëse keni prani të mykut në shtëpi, duhet të merrni masat e duhura paraprake dhe të kuptoni që ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tij, mund të shkaktojë probleme shëndetësore ose të përkeqësojë ato aktualet.