Gërxhaliu: Në këtë kohë a ka kuptim të flitet për 260 euro pagë minimale?

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se në raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën është theksuar se njëra ndër institucionet me joaktive ka qenë Kuvendi i Kosovës dhe angazhimi i deputetëve.

Gërxhaliu thotë se ajo çfarë është thënë në raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, veçanërisht për Kuvendin qëndron.

Sipas tij, deputetët e Kuvendit të Kosovës ende nuk arritën që ta ngritin zërin për miratimin e Projektligjit për pagën minimale, e cila siç është propozuar nuk do të ketë efekt pozitiv te qytetarët për shkak të krizës ekonomike që ka kapluar botën.

“Se vërtet qëndron një fakt i tillë është dëshmia më e mirë se paga minimale ka filluar të debatohet me vite të tëra dhe ende nuk është miratuar në Kuvend. Propozimi ka qenë që ajo pagë të jetë 260 euro. Dhe shtrohet pyetja: A ka kuptim sot të flitet për 260 euro pagë minimale? Keni parasysh inflacioni është mbi 20 për qind, kur kemi ngritje të çmimeve më tepër se 120 për qind dhe e tërë kjo falë neglizhencës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe si pasojë e mungesës së përgjegjësisë qoftë individuale dhe institucionale ka devalvuar dhe degraduar tema për pagën minimale”, ka thënë Gërxhaliu për gazetën “Epoka e re”.


Gërxhaliu ka theksuar se sot në këtë kohë krize ekonomike globale kjo pagë minimale do të duhej ishte dyfishi i asaj që është propozuar.

“Sot do të duhej të ishte dyfishi i asaj page minimale, sepse çfarë ke blerë vitin e kaluar me 100 euro, këtë vit nuk mundesh të blesh me 200 euro. Kush mban përgjegjësi në këtë kohë të krizës ekonomike dhe sociale të mos ketë azhuritet në Kuvendin e Kosovës, që këto ligje të trajtohen me prioritet. Në qoftë se në këtë kohë të krizës e cila ka goditur mbarë botën, në veçanti Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, Kosova tenton ta minimizojë efektin negativ të kësaj krize. Nëse në këtë krizë nuk ka gatishmëri të deputetëve të Kuvendit që të trajtojnë ligje me prioritet si Ligji për pagën minimal, do të thotë është dëshmia dhe mjerimi më i madh që karakterizon politikbërjen në Kosovë. Kjo është edhe një dëshmi se në Kosovë luftohet për pushtet dhe jo për shtet. Pra, në Kosovë luftohet për karrige dhe jo për qytetarët”, është shprehur Gërxhaliu.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës nuk janë duke e ndjerë ndihmën e shtetit.

“Prandaj është koha urgjente që të kemi një zgjim institucional, të avancohet dialogu publiko-privat, të avancohet dialogut tripartitë, të bisedohet me biznese, të ketë kalkulime faktike dhe jo të besohet në statistikat jo të sakta me të dhënë të gabuara. Është koha që të kthehet dinjiteti i humbur te qytetarët e Kosovës dhe të kthehet shpresa e humbur se në Kosovë mund të jetohet dhe do të të ketë ardhmëri. Në qoftë se vazhdohet në këtë mënyrë, atëherë nuk duhet të na brengos fakti se Kosova do të ballafaqohet me një pandemi demografike që do të jetë efekti më pozitiv i arritur nga armiqtë shekullor të Kosovës”, ka thënë ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.