FAZ: Ushtria që s’guxon të quhet ushtri

Në Kosovë, me ndihmën e shumicës së vendeve të NATO-s, po formohet një ushtri lokale. Megjithatë, Aleanca heziton të flasë për përfshirjen e saj në formimin e asaj ushtrie, shkruan “Frankfurter Algemeine Zeitung”.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës nxit frikën se Kremlini mund të provokojë gjithashtu konflikte në Ballkan, madje vetëm për të provokuar forcat e rralluara të NATO-s atje. Aleanca në rajon ka kohë që nuk është e përfaqësuar aq fuqishëm ushtarakisht sa në vitet e ’90-ta, pra në fillim të këtij shekulli. Në BeH, njësitë nën komandën e NATO-s, me qëllimin e zbatimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, dikur numëronin pothuajse 60,000 ushtarë. Që nga viti 1999, 50,000 ushtarë janë vendosur në trupat mbrojtëse të KFOR-it në Kosovë. Nga ta kanë mbetur pak. Situata e sigurisë në rajon u konsiderua aq e qëndrueshme për vite me radhë sa që një prani gjithëpërfshirëse ushtarake perëndimore nuk dukej më e nevojshme”, transmeton DW në gjuhën serbo-kroate shkrimin e “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në me titull “Ushtria që nuk guxon të quhet kështu”, shkruan Klankosova.tv.

Formimi i ushtrisë në Kosovë

Gazeta gjermane kujton se pas 24 shkurtit të këtij viti, EUFOR-i aktivizoi një “rezervë operacionale” për BeH-në prej rreth 500 ushtarësh nga vende të ndryshme anëtare të BE-së. Përveç luftës, shkak, siç u tha, ishte edhe retorika e Milorad Dodikut, i cili së fundmi u rizgjodh president i Republikës Serbe në zgjedhje. “Një politikan që simpatizon hapur presidentin rus ka njoftuar se do të ndërmerren hapa për t’u ndarë nga shteti, si krijimi i ushtrisë së tij”.

“Në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm, EUFOR-i mund të aktivizojë një ‘rezervë strategjike’ me 800 ushtarë të tjerë të armatosur. Megjithatë, këto nuk janë shifra të mëdha. Prania ushtarake perëndimore në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë është kryesisht një sigurim psikologjik i ndjenjës së sigurisë për popullatën, nën moton: nuk jeni të harruar”.

“Dallimin kur është fjala për Kosovën e bën sidomos prezenca amerikane në bazën ‘Bondsteel’ jo larg kufirit me Serbinë. Përveç kësaj, me ndihmën e shumicës së vendeve të NATO-s – jo vetëm Bundeswehr-it, i cili aktualisht ka rreth 70 ushtarë në Kosovë – atje po formohet një ushtri lokale. Për shkak të qëndrimit jashtëzakonisht proamerikan të popullatës shqiptare në Kosovë, ato forca të armatosura ndoshta do të ishin partnerë të besueshëm të politikës së sigurisë së NATO-s në rajon”, vlerëson artikulli.

Megjithatë, NATO heziton të flasë për përfshirjen e saj në formimin e asaj ushtrie, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, me vlerësimin se ka të bëjë me planin e paqes të ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari: “Si negociator, ai prezantoi planin e tij për pavarësinë e Kosovës në Kombet e Bashkuara në vitin 2007. Kjo u bë baza për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, e cila u mbështet nga shumica e Perëndimit. Në planin e Ahtisaarit nuk përmendej ushtria, të paktën jo me atë emër. Në vend të kësaj, plani kërkonte ‘njësi sigurie shumë-etnike’. Siç u tha, ato njësite duhej të ishin një lloj organizate për ndihmë teknike me maksimum 2500 anëtarë, e cila do të angazhohej kryesisht në rast të fatkeqësive natyrore. Kryesisht kishte të bënte me integrimin e ish-vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, pjesëtarë të forcave të parregullta, në strukturat e kontrolluara nga Perëndimi”, kujton gazeta nga Frankfurti, transmeton Klankosova.tv.

Bundeswehri ka një nga rolet kryesore

Në formimin e ushtrisë së Kosovës janë përfshirë disa ushtri perëndimore dhe, siç vlerësohet në tekst, “Bundeswehri luan një rol udhëheqës”. “Në vitin 2018, ai [Bundeswehri] ndau më shumë se 40 automjete terreni të tipit “Ujku”, duke përfshirë edhe punëtori, si ‘shprehje e dukshme e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Bundeswehrit dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës’. Formimi i njësive duhet të përfundojë në dhjetë vjet. Në të njëjtën kohë, në bisedimet jozyrtare në Berlin, nuk kontestohet se sipas planit të Ahtisaarit, Kosova në fakt nuk duhet të ketë ushtri. ‘Prandaj nuk flasim për këtë’”, thuhet për rolin e NATO-s në ndërtimin e ushtrisë së Kosovës.

“Në Prishtinë konfirmojnë se ka një shkëmbim direkt me Bundeswehrin. Kur bëhet fjalë për stërvitjen ushtarake, Bundeswehri ofron trajnime logjistike, trajnime të policisë ushtarake ose trajnim për çminim. Pjesë e programit janë edhe vizitat në njësi. Gjenerali gjerman me një yll këshillon kosovarët për formimin e ministrisë së mbrojtjes. Në ushtritë e tjera anëtare të NATO-s, oficerët e Kosovës janë gjithashtu mysafirë në kurse dhe ushtrime. Në vitin 2021, më shumë se 300 pjesëtarë të njësive të Kosovës morën pjesë në manovrat e mëdha ‘Mbrojtësi i Evropës 21’, nën koordinimin e SHBA-së. Në ndërtimin e ushtrisë së Kosovës, përveç amerikanëve dhe gjermanëve, spikat edhe Britania e Madhe dhe Turqia”, thotë “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.