Rritja reale e Bruto Prodhimit Vendor (GDP) të Kosovës pritet të ngadalësohet në 3.1% në vitin 2022, pas një ngadalësimi të investimeve dhe konsumit privat, thuhet në raportin më të ri të Bankës Botërore për ekonominë në Evropë dhe Azi Qendrore, të titulluar Mbrojtja Sociale për Rimëkëmbje.
Sipas raportit, në kontekstin aktual, mbështetja për të zbutur ndikimin e çmimeve në rritje të energjisë dhe ushqimeve duhet të fokusohet tek më të cenueshmit.
“Ndërsa në periudhën afatmesme, zbatimi i përshpejtuar i reformave strukturore në energji, arsim, mbrojtje sociale dhe kujdes shëndetësor është thelbësor për të rritur rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të Kosovës”, thuhet në raport.
Ndërkaq edhe vendet e tjera pritet që të kenë ngadalësim të rritjes ekonomike, në disa tjera edhe rënie.
“Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar krizën më të madhe të shpërnguljeve në botë që nga Lufta e Dytë Botërore – duke shtuar një numër tashmë historikisht të lartë të refugjatëve në nivel global. Pushtimi gjithashtu ka përshpejtuar ndjeshëm ngadalësimin e aktivitetit ekonomik global, me ekonominë globale në rrezik të rrëshqitjes. në recesion në vitin 2023”, thuhet në raport.
Edhe institucionet në Kosovë kanë paralajmëruar për një dimër të vështirë, sidomos në fushën e energjisë.
Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti ka vazhduar edhe sot të proklamojë se rritja ekonomike nën drejtimin e tij është më e madhja në histori?!
“Me një qeverisje të mirë, të drejtë e zhvillimore, po ofrojmë një klimë të përshtatshme të të bërit biznes. Vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10. 7 për qind të bruto produktit vendor e në tre mujorin e parë të këtij viti 4.9 për qind të bruto produktit vendor, pasi që të zbritet inflacioni. E kjo është më shumë se në çdo vit tjetër në historinë e shtetit tonë dhe në rajon. Banka Botërore parashikon që Republika e Kosovës do të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në Ballkanin Perëndimor gjatë periudhës 2022-2024. Vitin e kaluar eksportet kanë qenë 83.6 për qind më të larta se krahasuar me vitin paraprak e sivjet janë edhe 29.5 për qind më të larta sesa me vitin 2021. Këtë vit për herë të për vlera e eksportit pritet ta kalojë shifrën prej 1 miliard euro. Të hyrat buxhetore janë për 1/3 më të larta sesa vitin e kaluar, ndërkaq investimet e huaja direkte janë rritur për 22 për qind”, ka deklaruar Kurti, në përurimin e një fabrike – investim privat sot në fshatin Besi të Prishtinës.