Pezullohet greva deri në janar 2023 – Jasharaj: Qeveria mos të ndihet triumfaliste

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka vendosur që të pezullojë grevën pas pesë javësh, pasi ka marrë mendimin e anëtarësisë. 

Kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, tha se pezullimi i grevës po bëhet për hirë të fëmijëve dhe e porositi Qeverinë Kurti që të mos ndihet si triumfaliste, por të marrë mësim.

Pezullimi do të vlejë deri në janar të vitit të ardhshëm dhe se kërkesat mbeten të njëjta.

Ai ka bërë thirrje që Qeveria t’i realizojë kërkesat e tyre, duke shtuar se ata s’janë gjunjëzuar por vetëm kanë respektuar vendimin e anëtarësisë. 

“Ajo që dua të them është se me kënaqësi e respekt po iu drejtohem grevistëve. Mundësia e vetme na kishte mbetur greva e përgjithshme. Duke respektuar zërin e anëtarësisë greva filloi me 25 gusht. Qeveria në vend se të dërgojë optimizëm, por reagoi me fyerje”. 

“Falënderoj prindërit dhe qytetarët që dhanë vlerësime për grevën. Ata që na fyen dhe linçuan le të mbetet në fytyrën e tyre. Uroj që qeveria të nxjerr mësime nga kjo Grevë. Si Këshill Grevist i BSPK-së, SBAShK-ut dhe administratës dhe jemi të obliguar të veprojmë sipas vullnetit të shumicës”.

“Nga qeveria kërkojmë që të takohemi në dialog të sinqertë. Uroj që Qeveria ta mbaj fjalën për Ligjin e Pagave. Uroj që të punohet bashkërisht Ligji për Sigurime Shëndetësore. Qeveria dhe opinioni le ta dijë se greva nuk po mbyllet, por pezullohet deri në janarin e vitit 2023. Rezultati ishte goxha i ngushtë për pro dhe kundër”.

Ai tha po ashtu se përveç mësimdhënësive, edhe 24 shoqata janë deklaruar për pezullim derisa vetëm një shoqatë sindikale është deklaruar për vazhdimin e grevës.

Atdhe Hykolli, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës tha se greva ka qenë e ligjshme dhe e nevojshme.

“Greva ka qenë e ligjshme e nevojshme, tash ka hyrë në javën e pestë. Greva nuk ishte dhe nuk do të jetë akt personal i askujt, por mjet i organizimi sindikal. Greva është përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës dhe mbrohet”.

Përderisa të premten SBAShK-u përmes një postimi në Facebook ka treguar se pro pezullimit të përkohshëm të grevës, më së largu deri në janar 2023, janë deklaruar 11.809 ose 54.88%, ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%.