Ka një javë që janë zhdukur dy vajza nga Peja, njëra nga fshati Treboviq dhe tjetra nga Qyshku i Pejës, ndërsa ende nuk dihet gjë për fatin e tyre.
Të dy vajzat janë studente dhe kanë lidhje familjare (vajzë daje – halle), ndërkaq për zhdukjen e tyre Policia e Kosovës ka raportuar më 25 shtator.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova në një prononcim për Telegrafin tha se Policia është duke punuar me intensitet në të gjitha pistat lidhur me zhdukjen e dy vajzave.
“Ende nuk kemi diçka konkrete. Në momentin që do të kemi ne do të njoftojmë”, tha Rugova.
Ndryshe, lidhur me këtë rast ka reaguar sot deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo ka thënë se duhet të çohet i gjithë shteti në këmbë derisa të gjenden dy vajzat.
“Si nënë e dy vajzave ky lajm më ka tmerru dhe prej momentit që e kam dëgju nuk mendoj asgjë tjetër. Për çudi, kjo ngjarje po kalon pa shumë vëmendje, pa shumë angazhim të shtetit, të institucioneve shtetërore”, shkruan Bajrami në Facebook.
Ndryshe, babai i njërës nga të zhdukurat në një deklaratë për Klan Kosova ka thënë se nuk kanë ndonjë të dyshuar për zhdukjen e vajzës së tyre.
Ai bëri të ditur se vajza e tij së bashku me vajzën e dajës ka një javë që janë zhdukur.
Sipas tij, ata si prindër nuk kanë vërejtur diçka të dyshimtë tek vajzat ose se kanë probleme me dikë.