Këshilli Grevist i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), do të mblidhet të premten në ora 18:00 me kryetarët e niveleve lokale për të kuptuar se si qëndron disponimi i mësimdhënësve lidhur me grevën.
Reshit Kushaj, kryetar i Këshillit grevist të SBASHK-ut e ka konfirmuar për KOHËN se nga ky takim do të merret një vendim nëse do të vazhdojë greva apo do të pezullohet.
Mirëpo Kushaj ka thënë se vendimi do të bëhet publik ditën e shtunë.
“Në mblidhemi çdo ditë në ora 18:00 dhe diskutojmë. Edhe sot do të mblidhemi dhe do të shohim se si kanë vendosur grevistët. Më pas do të mblidhet sindikata dhe do të merret vendimi i cili besoj që do të bëhet publik nesër, jo sot”, ka thënë Kushaj.
Greva në arsimin parauniversitar ka nisur më 25 gusht pasi Bashkimi i Sindikatave të Bashkuara të Kosovës (BSPK), shpalli grevën e përgjithshme në sektorin publik.
Më shumë se 300 mijë nxënës kanë mbetur në shtëpi për katër javë, pasi sindikatat dhe Qeveria nuk arritën ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund grevës.
Mësimdhënësit po kërkojnë ndër të tjera 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit për Paga i cili aktualisht është në diskutim publik.
Ndërkaq Qeveria ka ofruar 50 euro shtesë në paga për punonjësit e sektorit publik deri në përfundim të këtij viti fiskal, gjë e cila nuk është pranuar nga sindikatat.