Eman Rrahmani tregon pse u “ndanë” nga Grupi i Vetëvendosjes


Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani dhe Gramos Agusholli në seancën e sotme të Kuvendit e cila sapo përfundoi u panë të ulur në pjesën e opozitës.

Kjo u nënkuptua si një sinjal se ata mund të largohen nga Vetëvendosje.

Por, njëri nga deputetët thotë se e kanë bërë për arsye praktike.

Demokracia.com e ka kontaktuar përmes telefonit deputetin Eman Rrahmani.

“Vallahi veç për qef, ma ngat derës me dalë kanihere…. Nuk ka kurrgjë tjetër”, tha me shaka Rrahmani, ndonëse veprimi i tyre u interpretua si i qëllimshëm.

Pas publikimit të lajmit për këtë lëvizje të dyshimtë, dy deputetëve të cilët së fundmi kanë shfaqur pakënaqësi u pa se iu ofrua menjëherë shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Nuk dihet se çka iu tha atyre shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, por sigurisht ka pasur të bëjë me uljen e tyre të pazakontë.

Sigurisht lëvizja e tyre u vërejt edhe nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca i cili e pyeti Kusarin: “A i ke të gjitha resurset?”

Dy deputetë të Vetëvendosjes “ndahen” nga kolegët, ulen kah opozita

Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët publikisht kanë shprehur pakënaqësi me zhvillimet në parti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës nuk janë ulur bashkë me kolegët e tyre, shkruan Demokracia.com.

Eman Rrahmani dhe Gramoz Agusholli në seancën e sotme janë ulur pas Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti Eman Rrahmani ditë më parë ka hedhur kritika ndaj zgjedhjeve të brendshme të VV-së dhe për dallim nga partia ai i ka përkrahur edhe kërkesat e mësimdhënësve të cilët janë në grevë.

Ai tha se këto zgjedhje do duhej të organizoheshin më mirë.

Nuk ka pasur ndonjë reagim as nga deputeti, as partia e tij, për këtë “ndarje” nga grupi.