Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se për kryeministrin Albin Kurti nuk ka qenë me rëndësi dëmi që u është shkaktuar nxënësve nga greva, por sipas tij, për një politikan të tillë është i rëndësishëm fundi triumfues.
Kreu i opozitës pati akuza edhe për ministrat dhe deputetët e shumicës, duke thënë se menduan vetëm si të dalin triumfues nga greva në arsim.
“Është fundi i javën së pestë prej kur nxënësit nuk kanë nisur mësimin. Kryeministri ka vazhduar me logjikën e konfrontimit. Qysh para tre javësh kam folur për nevojën e kompromisit dhe jemi të gatshëm të ndihmojnë në çfarëdo mënyre. Se sa e dëmshme dhe çfarë dëmi u është shkaktuar këtyre fëmijëve si pasojë e grevës. Lavdi politike nuk ka prej kësaj pune. Çfarë ka bërë kryeministri në ndërkohë? U ka treguar militantëve se çka do të thotë të jesh kokëfortë dhe të mos nënshtrohesh ndaj Rrahman Jasharajt e mësimdhënësve. Për të nuk janë me rëndësi dëmi që u shkaktohet nxënësve, për të është i rëndësishëm fundi. Sepse i tillë ka qenë gjithmonë. Të tillë janë ata politikanë që nuk shikojnë t’ia përmbushin nevojave qytetarëve, por përmbushjen e egos së pushtetarëve”, ka thënë Krasniqi.
Kryetari i PDK-së tutje ka thënë se krejt çfarë ka bërë kjo Qeveri është ndarja e shoqërisë në dy taborë, siç thotë ai, “ja na, ja ata”.
“Këto humbje afatgjate nuk i mendoj askush në këtë Qeveri, as ju deputetë të shumicës. Menduat vetëm si të dilni nga greva si triumfues. Përderisa qytetarët kanë telashe socio-ekonomike, kanë pritur investime nga kjo Qeveri – e vetmja gjë që ka bo kjo Qeveri në këto dy vjet është ndarja në dy taborë, ja na – ja ata. Është e tmerrshme çfarë mendësie ja ka veshur pushtetit Albin Kurti. Mësimdhënësit ndoshta edhe do ta ndërpresin grevë, por është treguar një qeveri jolegjitime që është në pushtet, por nuk ofron zgjidhje. Nuk dialogun, por e ka mision me përça shoqërinë”, është shprehur tutje ai.