Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se do të ketë rritje page për disa kategori. Ai tha se është marrë vendimi për të mbështetur punonjësit e Policisë me një shtesë page, prej 15 për qind, ndërsa niveli i mesëm 7 për qind.
Po ashtu, Kryeministri Rama ka treguar se shtesa page do të kenë dhe punonjësit e administratës, punonjësit e gardës si dhe zjarrfikësit.
“Policia e Shtetit, në nivelet bazë, të gjithë punonjësit e policisë në nivel inspektorësh dhe niveli i mesëm, të kenë një shtesë page. 15 për qind rritje do të ketë niveli bazë, 7 për qind niveli i mesëm”, tha Rama.
“E njëjta gjë vlen për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, zjarrfikësit, administratën publike. Të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë”, shtoi kryeministri.
Rama nënvizoi se “principi mbetet po ai i ditës së parë: kush ka më pak, mbështetet më shumë”.
“E njëjta gjë do të ndodhë me pensionet, që janë riindeksuar dhe kemi rritje prej 9.5 për qind në raport me pensionin e një viti më parë. E njëjta gjë me familjet me ndihmë ekonomike, që kanë një rritje prej 10 për qind. Po ashtu, për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç, që janë me ndihmë ekonomike, bëhet dyfishim i ndihmës. Patjetër edhe indeksimi për personat me aftësi të kufizuar”, tha Rama.