Pas më shumë se një dekade, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUVK) si autoriteti më i lartë për Ushqim dhe Veterinari i cili është përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve kthehet nën ombrellën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Me këtë rast, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, zhvilloi një takim me zv. Kryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Flamur Kadriu, me ç’rast u njoh nga afër me funksionimin e kësaj Agjencie. “Roli i kësaj Agjencie është krucial në adresimin dhe ekzekutimin e politikave që i shërbejnë sigurisë ushqimore andaj do i kushtohet rëndësi e veçantë ngritjes së kapaciteteve njerëzore e laboratorike me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve tanë nga rreziqet që vijnë nga sëmundjet që barten përmes mungesës së kontrollit fitosanitar të cilësisë, ushqimet e pa-kontrolluara e të ngjashme. Kryeministri Albin Kurti, përmes kthimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës tek Ministria e Bujqësisë, konfirmoi orientimin e kësaj Qeverie që secila Agjenci e secili Institucion të jenë funksional dhe t’i kontribuojnë fushës për të cilën janë të mandatuara”, u shpreh me këtë rast Ministri Peci
Me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, për çdo ankese rreth sektorit të bujqësisë, Ministria e Bujqësisë ka vënë në dispozicion numrin pa pagesë 0 800 38 000 dhe email adresën ankesat.azhb@rks-gov.net , ku do të pranohen ankesat dhe do mund të merrni informacionet e nevojshme për çdo pyetje tuajën.
Në po këtë frymë, në dispozicionin tuaj është edhe numri +383 38 200 38 324 dhe email adresa infoauv@rks-gov.net, ku mund t’i drejtoni shqetësimet dhe ankesat tuaja për çështje që lidhen me sigurinë ushqimore.