Duda Balje: JO në LDK

Deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ka marrë sërish vëmendjen e opinionit publik. Ajo është takuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjë që ka nxitur diskutime se mund të ketë ndonjë lëvizje nga koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në një deklaratë për gazetën Nacionale, Balje ka theksuar se nuk kanë diskutuar për kalimin e saj në LDK. Sipas saj ‘tash për tash’ ajo mbetet pjesë e koaliconit me Vetëvendosjen.

“Jo, as nuk kemi biseduar për këtë. Kemi biseduar për bashkëpunim, por me kalu në LDK jo. Unë kam “partinë time, partia e vogël, jemi pjesë e koalicionit tash për tash dhe kështu do të vazhdojë”, tha Balje për Nacionalen.

Ajo sqaroi se pavarësisht që ka pasur disa pika ku nuk është pajtuar me partinë e Kurtit, thotë se do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij koalicioni. Madje u shpreh, se takimi me Abdixhikun nuk do të ndikojë në raportet e saj me kryeministrin.

“Jo nuk ndikon, tash për tash jo. Në disa pika kam pasur dallime me Vetëvendosjen. Unë në pika të cilat kam menduar se duhet të votojë kam votuar, shumicën e pikave i kam përkrahur, por për shembull Kodin Civil ose Trustin kam dalë kundër vendimeve të Vetëvendosjes. Ne kemi vendosur brenda partisë, dhe njëjtë unë kam vepruar”, deklaroi Duda Balje.

May be an image of 7 people, people sitting and indoor

Ajo në këtë prononcim, tregoi disa detaje për temat që janë diskutuar.

“Ne në fakt, qysh kemi publiku tekstin ka qenë. Takim shumë i mirë. Kemi biseduar për problemet politike, për disa sfida të cilat na presin në Kuvend. Kemi biseduar edhe për mundësinë për bashkëpunim, për mua LDK-ja është partia më e vjetër në Kosovë dhe kemi shumë pika të përbashkëta, dhe LDK-ja ka reflektuar gjithëmonë në respektim të komuniteteve”, deklaroi deputetja Balje.

Këto reagime erdhën pas largimit të deputetes së Lisëts Guxo, Doarsa Kica-Xhelili në drejtim të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo braktisi pozitën, për të kaluar në partinë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku.

Dyshimet u nxitën edhe pas deklaratave të shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se ka disa deputetë që duan të kalojnë në partinë e tyre.

Në fakt, ky takim nuk ishte edhe aq i pritur. Kumtin e para e dha Lidhja Demokratike e Kosovës. Në një komunikatë për media, deklaruan se në takim me Baljen, Abdixhiku diskutoi për thellimin e bashkëpunimit.

“Sot, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me bashkëpunëtorë, ka pritur kryetaren e SDU-së, Duda Balje. Kryetari Abdixhiku me znj. Balje diskutoi për situatën politike në vend, si dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes LDK-së dhe SDU-së”

“Gjatë këtij takimi, kryetari Abdixhiku vlerësoi lartë kontributin e komunitetit boshnjak në proceset shtetndërtuese të Kosovës, ku shtoi se duhet të vazhdojmë të punojmë fuqishëm për përmirësimin e kushteve për të gjithë qytetarët e Kosovës pa përjashtim”, thuhet në komunikatën për media të LDK-së.

Deputetja e komunitetit boshnjak në Kosovë, Duda Balje, kishte pasur mospajtime disa herë me Lëvizjen Vetëvendosje me të cilën është në koalicion.

Temat që i ndanë ishte Kodi Civil ku Balje votoi kundër, pastaj ajo e përkrahu ligjin për Trustin që e kundërshtonte VV-ja.

Madje, deputetë të Vetëvendosjes kishin kërkuar përjashtimin e Duda Baljes nga Komisioni për Energji, që ishte në kuadër të Kuvendit të Kosovës.