Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se Kosova do të hyjë në një dimër të vështirë sa i përket energjisë elektrike.
Buzhala tha se konsumi i energjisë gjatë javës së kaluar krahasuar me vitin e kaluar është rritur 10 për qind.
“Fatkeqësisht është rritur me 10 për qind konsumi krahasuar me vitin e kaluar, për javën e fundit. Është një paralajmërim se konsumi që e kemi pritur që do të bie, është rritur dhe kjo është mjaft shokuese kur dihet situata emergjente energjetike nëpër të cilën po kalojmë dhe kur dihet kriza energjetike evropiane, dhe ku dihet se komplet Evropa po hyn në një dimër të parashikueshëm”, ka thënë Buzhala në Info Magazinë, njofton Klankosova.tv .
Ai tha se parashikohet që çmimi i energjisë për këtë vit të arrijë në 1000 euro për megavat dhe një faturë mujore 150 milionë euro.
“Nëse shkojmë me konsumin e vitit të kaluar dhe me prodhimin vendor të vitit të kaluar dhe me çmimet e këtij viti, atëherë fatura mujore, çmimet e këtij viti që parashihen të jenë sipas prognozave deri në 1000 euro për megavat, po flasim për një faturë mujore vetëm për nga importi që mund të shkojë deri në 150 milionë euro”, ka shtuar ai.
Buzhala theksoi se momentalisht nuk ka kufizime të energjisë, por s’dihet si do të jetë gjendja orëve e muajve në vijim, pasi, siç tha ai, po flitet për një situatë mjaft të paparashikueshme.
“Qytetarët duhet ta dinë s’janë duke zgjedhur në mes të një shërbimi më të lirë dhe më të shtrenjtë, janë duke zgjedhur të ngrohen me një pasiguri shumë të madhe, pasi nuk e dimë si do të jetë situata.. Janë situata të paparashikueshme, po hyjmë në një dimër shumë të vështirë”, ka përfunduar ai.