Në sallën e Kuvendit Komunal të Malishevës janë përkujtuan të vrarët në masakrën e fshatit Golluboc të Malishevës.
Në këtë akademi u përkujtuan, 30 civilë shqiptar, kryesisht të fshatrave Plloqicë dhe Gollubovc, të Komunës së Malishevës, të cilët 24 vite më parë forcat serbe i vranë në mënyrën më mizore. Më pas, janë bërë homazhe në varrezat e Plloçicës, ku janë të varrosur të gjithë të vrarët e kësaj masakre.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka kërkuar që të zbulohen dhe të dënohen vrasësit dhe urdhërdhënësit, pasi edhe sot pas 24 viteve, nuk është dënuar askush për këto vrasje.
“Okupatori serb, ka bërë një gjenocid të paparë dhe ky gjenocid, e këto masakra ishin hakmarrje në popullin shqiptar, pasi nuk arrinin të ndalnin luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e as mbështetjen e luftës nga ana e popullatës. Humbjen dhe dhimbjen e madhe të kësaj masakre e kemi bashkë. Ju familjarë të dashur që sot jeni prezent, por edhe gjeneratat tuaja të lirisë, të jeni krenarë, sepse gjaku i tyre dhe i dëshmorëve tjerë, është burimi i Kosovës së lirë, që sot ne e gëzojmë bashkë”, ka thënë Kastrati.
Në akademi kanë folur edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Argjend Thaçi, gazetari Enver Maloku, kryetari Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Sinan Gegaj, ndërsa në emër të familjeve të martirëve, ka folur Liridona Maloku.
Gazetari Enver Maloku, ka publikuar pjesë nga fjala e tij, të mbajtur në akademinë përkujtimore.
Dita e sotme përkon me 26 shtatorin e vitit 1998, kur forcat kriminale ushtarako-policore serbe në Gullboc, kryen masakrën më të tmerrshme kundër shqiptarëve, ku nga ploja e tyre vranë, 24 vite më parë, 30 shqiptarë, kryesisht të fshatrave Plloqicë dhe Gollubovc, të Komunës së Malishevës. Masakra në Gullboc ishte njëra nga masakrat e shumta që makineria vrastare serbe kishte kryer në Kosovë. Krim makabër, gjenocid, i dënueshëm me norma e konventa ndërkombëtare, i cili ndiçet me ligjet penale të secilit vend nënshkrues të Konventës së OKB(1948). Krimet gjenocidale nuk parashkruhen, ato kurrë nuk falen, dënohen kurdoherë. Për masakrën e Gullbocit heshtje, s’ka akoma hetime. Pamjet e varrezave të martirëve të kombit të vrarë në mënyrën më mizore , para 24 vjetëve nga eskadrilat, batalionet e pushkatimeve të policisë e të ushtrisë serbe janë dëshmi e kohës. Atëherë kishte ndodhur tmerri, trishtimi e kasaphana. I sheh tablotë e varrezave me pllakatat e mermerta, me emrat e mbiemrat, datëlindjet dhe datëvrasjet. Asgjë nuk kishin bërë. I vetmi “faj” i tyre ishte pse ishin shqiptarë, vetëm pse e donin lirinë, si gjithë bota demokratike . Breshëri plumbash mbi trupat e tyre. Rrëfimet e një nëne: ma morën djalin . Dhe dikush del e thotë në pikë të dite se edhe UÇK-ja ka kryer krime, ndaj civilëve serbë e të tjerëve, apo se duhet bërë amnisti, se ndjesën duhet kërkuar edhe ne, krahas agresorëve serbë. Ata na kanë borxh lumenj gjaku. Ata së pari duhet të dënohen dhe pastaj të kërkojnë faljen e pendesën. Sa e sa shqiptari akoma është i zhdukur, të pa gjetur. Diku janë, gjakun e kanë në Kosovë e varret nuk dihen.
U martirizuan për gjënë më të shtrenjtë – Lirinë, të cilën ne sot e gëzojmë. Liria është e shtrenjtë, ashtu ishte paguar. Vendlindja e lirisë është lufta dhe gjaku. Nuk kishin lindur në të njëjtën datë, as muaj e as vit po ranë për të njëjtin qëllim. Jeta dhe vdekja bashkëjetonin njëkohësisht, madje nuk dihej se cila ishte më e ëmbël, dhe a ka vdekje më të mirë se të vdesësh për liri. Ishin moshash të ndryshme, e profesionesh të ndryshme, Hazir, Kajtaz ,Rizah ,Dervish, Ahmet, Aziz, Muhamet, Sheremet, Ajet Maloku, pastaj, studentja Valentina Maloku e vëllezërit, Rasim e Halim Maloku, që të dy profesorë. U derdh gjaku i të miturve- Jeton, Mexhit e Avni Maloku. Të gjithë nga Plloçica. Bashkë me ta, po nga ky fshat u vranë edhe Sylë Thaçi e Zeqir Gashi, si dhe Osman e Hamzë Morina, Fazli e Ramadan Hoxha nga Gullboci, e Bedri Gashi nga Balinca Pas një rruge të gjatë e përpjekjesh të pareshtura dhe shekuj qëndrese për liri, me gjak e plagë, me rezistencën sublime shqiptare kundër okupatorit të egër serbian, Kosova bëhet shtet i pavarur e sovran. Merita më e madhe për këtë i takon Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarëve të saj, gjakut të derdhur të bijve e bijave më të mira të Kosovës, si ushtria më e lavdishme e popullit shqiptar që ndryshoi përfundimisht rrjedhën e historisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës këtë fitore nuk e kishte arritur lehtë, por me një forcë dhe qëndresë të pathyeshme, prandaj edhe është themeli i Pavarësisë së Kosovës. Shqiptarët nuk e identifikuan asnjëherë aspiratën e tyre nacionale me përkatësi religjioze. Substrati fetar ishte, siç është sot e përherë, krejt natyrshëm në privatësinë individuale të secilit njeri.
Qytetërimi shqiptar me gjithë sprovat që iu desh të përballonte nëpër vite stuhish mbeti në rrënjën e tij të natyrshme-perëndimore, sepse është në zemër të Evropës.. Rezistenca e armatosur e personifikuar me UÇK-në dhe të gjakut të çlirimtarëve bashkë, i dha dhe njohu karakterin çlirimtar të luftës dhe legjitimitetin e saj të pakontestueshëm.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Ju. Lavdi për jetë të jetëve!