Pas largimit të deputetes së Doarsa Kica-Xhelilit nga Grupi Parlamentar i VV-së në LDK, largime të tjera janë paralajmëruar nga koalicioni qeverisës. Portali “Syri.net”, raporton se 11 deputetë priten të braktisin radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Lajmi është i pakonfirmuar.
Sipas raportimit të “Syri.net”, deputetët që priten ta braktisin subjektin më të madh politik në Kosovë janë: Eman Rrahmani, Labinota Demi-Murtezaj, Fjolla Ujkani, Fatmir Humolli, Haki Abazi, Visar Korenica, Fitim Uka, Driton Hyseni, Fitim Haziri, Adriana Matoshi dhe Arjeta Fejza.
Po ashtu, i njëjti portal raporton bazuar në burime brenda LVV-së se edhe dy zyrtarët e LVV-së, Ramadan Beshiri dhe Bedri Maqestena, pritet të largohen nga partia e Albin Kurtit.
Mediumi i gazetarit të Shqipërisë Çim Peka, i cili përkrahu Albin Kurtin në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, shkruan se pikërisht është Kodi Civil, që ka trazuar ujërat përbrenda grupit parlamentar të VV-së, ku disa deputetë votuan kundër.
Në artikullin e “Syri.net” raportohet se nga koalicioni me VV-në mund të largohet edhe deputetja nga komuniteti boshnjak Duda Balja.
“Por, çarja më e madhe brenda Vetëvendosje u pa muajve të fundit nëpër disa degë. Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Viti, Rahovec, etj. janë qytetet ku individë të ndryshëm heshtazi u përplasen për të fituar garën e brendshme elektorale”, shkruan “Syri.net”.
Zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje kanë ritheksuar edhe një herë problemet e mëdha që kjo parti ka me kohezionin e brendshëm.
Megjithatë, nga Lëvizja Vetëvendosje ende nuk janë deklaruar për një çështje të tillë.