Jasharaj-Kurtit: Deklaratat tuaja janë bërë bajate, presim ftesë por jo takime për t’u tallur


Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, i ka konsideruar “deklarata bajate”, ato çka i tha të dielën kryeministri Albin Kurti pas votimit në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti i quajti përfaqësuesit e sindikatave “sindikalistë të PAN-it”, por kjo deklaratë nuk i la përshtypje Jasharajt. Ai tha se Kurti po flet pa argumente.

Ai bëri thirrje për Kurtin që t’i ftojë në takim, por jo për t’u tallur.

“Ta them të vërtetën s’është hera e parë që përdorë kësi lloj deklarata. Këto deklarata janë të paargumentuara nga kryeministri. Më mirë do të ishte Kurti të na ftojë në takimin në vend të këtyre deklaratave që tani janë bërë bajate. Le të na ofrojë një lajm të ri kryeministri, pasi në çdo mbrëmje mbajmë takim me Këshillin Grevist, por s’po kemi lajme të reja t’ia kumtojmë anëtarësisë dhe kjo është me fajin e kryeministrit i cili duhet të ulet me sindikalistët dhe të bisedojmë të mundohemi të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Jasharaj për KOHËN.

Ai ka shtuar se nuk e kupton gjuhën me të cilën flet Kurti sa i përket pretendimeve për lidhje të sindikalistëve me parti politike.

“Deri më tani nuk kemi asnjë ftesë, anëtarësia do t’i gëzohej çdo ftese, por jo takime për t’u tallur. Unë nuk e kuptojë pse kryeministri jep kësi lloj deklarata, ai e di që ka mësimdhënës që janë votues të VV-së, PDK-së, edhe LDK-së, AAK-së, e shumë partive të tjera, dhe që të gjithë janë në grevë dhe kësaj greve nuk mund t’i vije fundi me deklarata të pa argumentuara”, ka thënë ai.

Në prononcim për gazetarët pas votimit për kryetar të LVV-së, Kurti ka thënë se “sindikalistëve të PAN-it iu ka ndaluar koha në qershorin e vitit 2017”.

Kurti ka bërë thirrje që të nisë mësimi.