Drejtoresha e Përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), Susan Flocken sot gjatë ditës pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar rreth grevës në arsim.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, i cili u shpreh SBASHK-u do ta takoj Flocken menjëherë pas takimit që do ta zhvillojnë në Komisionin për Arsim, në Kuvendin e Kosovës.
“Susan Flocken ka ardhur dhe është në Prishtinë. Ne kemi takim tash në orën 10:00 me Komisionin për Arsim, dhe më pas do të takohemi me Flocken. Ndërsa, ajo sot do të mbaj një takim rreth orëve të pasdites me kryeministrin Albin Kurti, dhe janë duke e aranzhuar takimin, pasi ende nuk e kanë caktuar orën”, ka thënë Ymeri.Reklama
Po ashtu sipas tij, pas takimit që do ta zhvillojë Flocken me kryeministrin Kurti, SBASHK-u pritet që rreth orës 19:00 të dal me një konferencë për media.
“E pas takimit që do ta zhvilloj Flocken me Kurtin, besoj që rreth orës 19:00 SBASHK-u do të dal me një konferencë për media”, ka thënë Ymeri.
Ndërkaq, drejtoresha e Përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), Susan Flocken ditë më parë përmes një lidhje online me SBASHK-un ka mbështetur grevën në arsim dhe ka kundërshtuar veprimet e Qeverisë Kurti.
Ndryshe, greva në arsim ka hyrë në javën e tretë dhe ende asnjë marrëveshje mes Sindikatave të Bashkuara të Arsimit (SBASHK) dhe Qeverisë së Kosovës. Gjithashtu edhe disa sektorë tjerë në sistemin publik janë në grevë.