Disa pajisje elektroshtëpiake janë “fajtorët” më të mëdhenj për shifrën e madhe të faturës së energjisë elektrike. Për fat të mirë, ju mund të arrini të kurseni para, shkruan Telegraph.
Frigoriferi është një pajisje që konsumon afërsisht 30 për qind të energjisë elektrike që i nevojitet një familjeje. Natyrisht, gjëja më e rëndësishme është të blini një frigorifer që të jetë efikas në energji. Për këtë arsye, gjithmonë duhet të zgjidhni atë që ka një vlerësim A+++.
Temperatura ideale në frigorifer është shtatë gradë Celsius. Ushqimi do të ftohet mjaftueshëm dhe në të njëjtën kohë do të arrini të reduktoni konsumin e energjisë elektrike.
Makina larëse konsumon gjithashtu shumë energji elektrike. Modelet e vjetra konsumojnë mesatarisht 3,5 kWh për një larje. Mund ta anashkaloni programin e paralarjes nëse rrobat nuk janë shumë të ndotura.
Asnjëherë mos përdorni temperatura të larta për larje. Detergjentët pastrojnë rrobat me mjaft efikasitet në 30 ose 40 gradë. Për veshje veçanërisht të ndotura, përdorni një temperaturë prej 60 gradë. Çdo gjë e tepërt është e panevojshme dhe ju do të shpenzoni pa nevojë para shtesë për energjinë elektrike.
Përdorimi i një makinë larëse enësh është, natyrisht, më efikas sesa larja me dorë. Sidoqoftë, duhet të zgjidhni një të klasës A ose B sepse ato konsumojnë më pak energji – nga 0,7 kW në 1,5 kW. Klasat e vjetra mund të konsumojnë më shumë se 2 kW. Lani gjithmonë enët në 50 gradë.