Doarsa Kica zyrtarizon kalimin në LDK


Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka zyrtarizuar kalimin e tash ish-deputetes së Listës Guxo, Doarsa Kica Xhelilii.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kësaj partie iu bashkua një politikane aktive e profesioniste e shquar.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se shkuarja e saj në LDK është vlerë.

“Me Doarsën kemi biseduar gjatë mbi politikën, aktivizmin dhe vizionin e Lidhjes tonë për vendin. Pikëpamjet e saj për Kosovën, për të tashmen e të ardhmen e brezave të këtij vendi – për drejtësinë në veçanti – janë vlera që provojmë t’i shpërfaqim me këmbëngulësi në çdo veprim tonin politik. Kemi folur për LDK-në, idetë tona përpara dhe nevojën e ndërtimit të kësaj rruge së bashku me më të mirët e vendit. Ky është qëllimi ynë; Doarsa është e tillë, prandaj dhe rrugëtimi ynë i natyrshëm. Ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka treguar Doarsa Kica Xhelili ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

“Si bursiste e Loyola University në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo mori titullin Magjistre e Sundimit të Ligjit për Zhvillim, në qendrën e këtij universiteti në Romë. Doarsa, përveçse aktiviste e shoqërisë civile, ishte dhe avokate e shquar brenda dhe jashtë Kosovës. Përvoja e saj në këtë drejtim, e bën atë një aset të çmuar të shoqërisë sonë”, ka shkruar ai.

Abdixhiku ka thënë se përgjatë kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, Doarsa ka shërbyer si kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, si dhe anëtare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër-Korrupsionit.

“Puna e saj aktive dhe profesionale në komisione dhe në publik, ka shtyrë përpara nisma që kanë marrë mbështetje të gjerë qytetare në vazhdimësi. Doarsa jeton në Prishtinë; është e martuar dhe nënë e një vajze”, ka shkruar ai.