Pak orë ndajnë tregun botëror nga lansimi i telefonit më të ri të kompanisë, Apple, iPhone 14.
Në konferencën më të madhe vjetore, të titulluar “Far Out” (shumë i avancuar), rreth orës 19:00, sipas kohës sonë lokale, do të lansohet telefoni më me nam në botë, krahas shumë produkteve tjera të gjigantit amerikan.
iPhone 14 – tashmë është traditë që vjeshta të vijë me telefonat e rinj të Appleit. Kompania pritet të lansojë katër telefona të gjeneratës së re, dy do të jenë me ekran 6.1-inç, iPhone 14 dhe iPhone 14 Pro, dhe dy me ekran 6.7-inç, iPhone 14 Plus dhe iPhone 14 Pro Max. S’do të ketë iPhone Mini për shkak të dështimeve të gjeneratave të mëhershme. Kamerat e telefonave të rinj do të jenë me sensor më të madh, 48 megapikselë, që mundësojnë incizim me kualitet 8K. Produktet do të kenë setin e ri të çipave. Nuk dihet ende çmimi i telefonave të rinj.
Watch Series 8, Watch Pro, Watch SE – lansimi tjetër do të jetë ai i orëve të reja. Apple Watch Pro pritet të ketë ekran me madhësi 47 milimetërsh. Pritet të vijë me çmim prej 900 deri 1000 dollarë.
AirPods Pro 2 – kufjet AirPods Pro do të kenë zëvendësimin e parë pas tre vjetësh.
iOS 16 – Apple pritet të lëshojë për përdorim, një javë pas lansimit të telefonit të ri, edhe sistemin operativ, iOS 16.
Konferenca do të transmetohet direkt në llogarinë e kompanisë në YouTube.