Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga çdo përpjekje serioze për ta ndihmuar vendin që ta përballojë krizën ekonomike me të cilën po ballafaqohet.
Ai në një postim në Facebook të martën, ka thënë se në vend të kësaj, Qeveria më tepër duket e përcaktuar për një fushatë informuese me të cilën synon t’i njoftojë qytetarët se sa i rëndë do të jetë dimri që po vjen.
Krasniqi ka thënë se të dhënat për muajin korrik tregojnë se çmimet e ushqimit në Kosovë kanë qenë për 22.1 për qind më të larta në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, përderisa të ardhurat e qytetarëve, kanë mbetur të njëjta me periudhën e para krizës e që në terma real, sipas tij, nënkupton një rënie të konsiderueshme të fuqisë blerëse.
Ai ka thënë se kjo mendësi qeverisëse paraqet skenar ogurzi për ekonominë e vendit dhe për mirëqenien e qytetarëve.
“Në tërë këtë situatë, Qeveria e Kosovës ka shfaqur vendosmëri të lartë për të refuzuar çdo rekomandim që do të ndikonte në frenimin e rritjes së çmimeve, por edhe rekomandimet për rritjen e pagave, e të paktën të pensioneve dhe të përfitimeve nga skemat sociale, për aq sa është niveli i inflacionit. Në këtë mënyrë, Qeveria ka zgjedhur abstenimin karshi krizës më të rëndë që ka kapluar vendin, me potencial të madh për ta rënduar edhe më tutje gjendjen e vështirë socio-ekonomike që po mbizotëron në Kosovë. Në kohën kur të gjithë kishin sytë nga rritja e çmimeve, qytetarëve të Kosovës iu prezantua edhe një sfidë e re – ajo e reduktimeve të energjisë elektrike në mes të verës”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se dështimi për ta furnizuar vendin me energji elektrike, madje edhe gjatë kësaj periudhe, paraqet paralajmërimin më të përafërt lidhur me atë se çka mund të presim për muajt që pasojnë, sidomos në stinën e dimrit.
Krasniqi ka shtuar se dështimi i Qeverisë gjatë vitit të kaluar për të siguruar furnizim të mjaftueshëm me energji elektrike, me kushte më të favorshme, nuk ka sjellë ndonjë mësim për institucionet as për këtë vit. Madje, shkruan ai, as për t’i bërë përgatitjet e nevojshme për funksionim të plotë të kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë elektrike.
“Të gjitha këto zhvillime ndikojnë negativisht mbi konsumin, prodhimin dhe investimet në ekonominë e vendit, të cilat më tutje shtrijnë ndikim negativ në shkallën e punësimit dhe në të ardhurat e qytetarëve. Sikur të mos mjaftonin këto goditje për ekonominë, pikërisht gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës, ka bllokuar pothuajse në tërësi investimet publike kapitale. Shkalla e realizimit të investimeve publike kapitale deri në muajin qershor paraqet vetëm 11% të shpenzimeve të planifikuara për vitin 2022 për këtë kategori. Me këtë, ekonomisë së vendit po i mohohet një burim shumë i rëndësishëm i gjenerimit të aktivitetit ekonomik, përderisa vlera reale e depozitave të grumbulluara nga Qeveria çdo ditë e më tepër po bie si rezultat i inflacionit dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka thënë se si pasojë e këtyre kushteve, parashikimet e fundit lidhur me rritjen ekonomike në Kosovë për vitin 2022 sugjerojnë një normë të rritjes prej vetëm rreth 2.5%.