Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen sërish sot në Bruksel.
Takimi trepalësh, mes Kurtit, Vuçiqit bashkë me përfaqësuesit e BE-së ka nisur rreth orës 15:00.
Radio Evropa e Lirë, duke u bazuar në burimet e veta diplomatike, raportoi sot më parë se një takim i dytë tre-palësh pritej të fillonte sërish pasdite.
Kjo do të jetë hera e parë që Kurti dhe Vuçiq takohen dy herë brenda një dite në kuadër të bisedimeve në Bruksel.
Pak pas orës 10:30, Kurti dhe Vuçiq zhvilluan rundin e parë të bisedimeve, në prani të shefit të diplomacisë evropiane Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu po qëndron edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.