Gati gjysma e adoleshentëve amerikanë thonë se përdorin internetin “pothuajse vazhdimisht”, sipas një sondazhi të ri të publikuar të mërkurën.
Sondazhi i bërë me 1.316 adoleshentë u thellua në zakonet teknologjike të adoleshentëve dhe u krye nga Qendra Kërkimore “Pew”, raportoi CNN.
Përqindja e adoleshentëve që raportuan një nivel pothuajse konstant të pranisë në internet u rrit ndjeshëm nga një sondazh i “Pew” i vitit 2015, në të cilin vetëm rreth një e katërta e adoleshentëve raportuan atë nivel të përdorimit të internetit.
Sondazhi zbuloi se platformat e mediave sociale që përdoren më shpesh nga adoleshentët po ndryshojnë gjithashtu, me platformat e fokusuara në video si YouTube dhe TikTok që kryesojnë në popullaritet.
Facebook nuk është më një forcë dominuese në jetën e adoleshentëve amerikanë, sipas sondazhit të ri. Vetëm 32% e adoleshentëve amerikanë të moshës 13 deri në 17 vjeç thonë se tani përdorin Facebookun. Kjo është më pak nga 71% e adoleshentëve që thanë se përdornin Facebook në një sondazh të Pew të kryer midis vitit 2014 dhe 2015.
Dikur platforma më e njohur e mediave sociale për përdoruesit e rinj, Facebook tani është tejkaluar nga YouTube, TikTok, Instagram dhe Snapchat, sipas Peë.
YouTube, në veçanti, u përdor nga 95% e adoleshentëve, sipas sondazhit, me gati 20% që raportuan pothuajse përdorimin e vazhdueshëm të platformës, duke e bërë atë rrjetin social më të popullarizuar, i ndjekur nga TikTok. Nga adoleshentët që përdorën TikTok, gati një e katërta raportuan pothuajse përdorim të vazhdueshëm.
Vitet e fundit, Facebooku dhe Instagrami kanë ndërmarrë hapa për të mposhtur konkurrencën nga platformat më të reja.
Të dyja platformat lëshuan veçori që përsërisin funksionin e stories të Snapchat, i cili u lejon përdoruesve të postojnë përmbajtje që zhduken pas 24 orësh. Instagrami prezantoi gjithashtu një opsion video me formë të shkurtër të quajtur Reels për të konkurruar me TikTok.
Megjithatë, në disa raste, këto përpjekje kanë krijuar “dhimbje koke” të reja për kompaninë. Shumë përdorues të Instagramit, duke përfshirë të famshmit Kim Kardashian dhe Kylie Jenner, së fundmi kritikuan disa nga përditësimet e Instagramit për ngjashmërinë e tepërt me me TikTok. Instagrami ka hequr dorë nga disa nga ndryshimet e tij.
Në total, 97% e të anketuarve thanë se përdorin internetin çdo ditë, nga 92% e adoleshentëve që thanë se përdornin internetin çdo ditë në raportin e vitit 2015.