Agjencia Shtetërore e Statistikave të Holandës njoftoi se inflacioni në këtë vend kaloi mbi dhjetë për qind muajin e kaluar për herë të parë që nga viti 1975, shkruan Euronews.
Çmimet e produkteve energjetike dhe banesave kanë ndikuar kryesisht në rritjen e inflacionit në këtë vend.
“Çmimet në korrik ishin 10.3 për qind më të larta krahasuar me një vit më parë. Inflacioni në qershor ishte 8.6 për qind. Çmimet e energjisë në Holandë ishin 108 për qind më të shtrenjta në korrik se në të njëjtin muaj të vitit 2021. Qiratë në korrik 2022 ishin 3 për qind më e lartë se vitin e kaluar”, thuhet në raportin e Agjencisë.
Gjithashtu, në buletinin statistikor i janë referuar çmimeve të benzinës dhe ushqimeve si ndër shkaqet për rritjen e inflacionit.
Në përgjithësi, inflacioni në Eurozonë arriti në 8.9 për qind në korrik, që është niveli më i lartë i të gjitha kohërave dhe çmimet e energjisë u rritën me më shumë se 39 për qind krahasuar me një vit më parë.
Estonia, Lituania dhe Letonia përfaqësojnë vendet me inflacionin më të lartë në Eurozonë, kryesisht për shkak të varësisë së tyre të madhe nga importet e energjisë. Kur bëhet fjalë për vendet e tjera të Bashkimit Evropian, sipas Eurostatit, gjithsej 10 vende që përdorin euron si monedhë kanë pasur përqindje inflacioni dyshifror.
Këto vende janë Belgjika, Estonia, Greqia, Spanja, Qiproja, Letonia, Lituania, Holanda, Sllovenia dhe Sllovakia.