Prishtina është bërë destinacion edhe i një ngjarjeje të madhe kulturore.
Kësaj here bëhet fjalë për festivalin e yllit botëror të muzikës, Dua Lipa.
Mbrëmjen e 4 gushtit mijëra adhurues të muzikës u mblodhën në Parkun Nacional të Gërmisë për të shijuar performancën e Dua Lipës dhe artistëve të ndryshëm.
Dua Lipa nisi performancën e saj para publikut në Prishtinë pas mesnatës.
E shoqëruar nga publiku, Dua Lipa këndoi disa prej këngëve të saj dhe “New Rules” ishte një prej këngëve që ndezi më së shumti atmosferën.
Dua Lipa është me prejardhje nga Kosova. Ajo u kthye që të performonte në edicionin e tretë të Festivalit që sjellë shumë emra të mëdhenj të muzikës botërore, por edhe lokale.
Festivali Sunny Hill, që nisi të enjten, do të zgjasë deri më 7 gusht dhe këtë vit, sipas organizatorëve do të ndiqet nga mbi 25.000 persona çdo ditë.
Por, ende pa perënduar dielli, Parku Nacional i Gërmisë, më 4 gusht u vërshua nga adhurues të muzikës, kryesisht të rinj, të cilët me emocione e prisnin nisjen e Fesivalit.
Nga Londra kishte ardhur edhe një grua, e cila kishte diçka të përbashkët me yllin e muzikës, Dua Lipa.
Donika Qelaj, 19-vjeçare me prejardhje nga Kosova, por që ka lindur dhe është rritur në Mbretërinë e Bashkuar, erdhi që ta ndjekë performancën e Dua Lipës, me të cilën kishte shkuar bashkë në shkollë.
“Jam e afërt me motrën e saj. Jemi miq familjarisht. Ka qenë shumë interesante ta shohësh tek lulëzon në një artiste inspiruese”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Donika Qelaj vendosi që në Sunny Hill të vinte me të dashurin e saj, Marlow Depeza.
Depeza thotë se për festivalin dëgjoi nga e dashura dhe se pret të kalojnë mirë.
“Më pëlqen Kosova, më duket mirë. Më duket çuditshëm të jem i huaji këtu, por po kalojmë mirë”, thotë ai.
Me moton “Set me free” (Më lër të lirë), edicioni i sivjetëm bën thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Përderisa BE-ja vendos kufij rreth lirisë sonë, ne do ta mbajmë të gjallë dhe të lirë imagjinatën tonë”, tha Festivali në një njoftim në Facebook.
Kosova mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka regjim të vizave për udhëtim në shtetet e Zonës Shengen.
Ideja për trajtimin e kësaj çështjeje po i duket interesante edhe Drilona Kurtalanit, 25-vjeçares nga Gjilani.
“Nuk besoj që festivali do të ketë shumë ndikim në liberalizim të vizave, por prapë është mirë që po e përçojnë një mesazh sepse jemi goxha të izoluar”, thotë Kurtalani.
Ajo thotë se në Festivalin Sunny Hill ka ardhur më shumë që të ndjekë performancën e Dua Lipës, pasi e cilëson atë si artiste inspiruese.
Festivali që organizohet nga Fondacioni Sunny Hill, i këngëtares Lipa, e solli në Kosovë edhe Adrian Misirajn, i cili është nga Skenderaj, por që aktualisht studion në Gjermani.
” Unë i kam blerë biletat ende pa u bërë publikë artistët që do të performojnë. Mendoj se Diplo do të jetë performuesi i preferuar”, thotë ai.
Çmimet e biletave për këtë festival variojnë nga 70 deri në 350 euro.
Para hapjes zyrtare të festivalit, në një konferencë për media, Dua Lipa tha se nuk ka ndjenjë më të mirë se sa perfomimi në Prishtinë.
“Po më vjen shumë mirë që jam në shtëpinë time, në vendin tim dhe të kem mundësi të bëj diçka të tillë”, tha Dua Lipa.
Para vendosjes për mbajtjen e festivalit në Parkun e Gërmisë pati kundërthënie lidhur me lokacionin e festivalit.
Edicioni i parë i Festivalit Sunny Hill është mbajtur më 2018. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, edicioni i vitit 2020 ishte anuluar.
Përveç Fesitvalit Sunny Hill, nga 22 korriku deri më 30 tetor, Prishtina është nikoqire edhe e Bienales Evropiane Nomade – Manifesta.
Ndërkaq, më 5 gusht, në Prizren nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”. /REL/