Hajdari: Kemi trashëguar probleme nga e kaluara, do të përmirësojmë kushtet e punës për punëtorët

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari në një konferencë për media me rastin e Ditës së Punëtorëve .

Hajdari tha se kanë trashëguar probleme nga qeverisjet e kaluara që lidhen me gjendjen e rëndë të punëtorëve, mirëpo siguroi se do të punojnë në rritjen e të drejtave të tyre dhe përmirësimin e kushteve të punës.

“Do të sigurohemi që të drejtat e punëtorëve të rriten dhe të përmirësohen kushtet e punës për ata që janë të punësuar dhe të krijohen vendet e reja të punës për ata që nuk janë të punësuar, dhe kjo në bashkëpunim me sindikatat”, tha Hajdari.

Ajo shtoi se shkaku i pandemisë COVID-19, janë duke u përballur me gjendje jo të mirë ekonomike.

“Qeveria Kurti përmes pakos fiskale emergjente ka bërë ndërhyrje për të minimizuar dëmin që bie mi punëtorin. Edhe ne si në gjithë botën për të ndaluar përhapjen e coronavirusit kemi mbyllur shumë veprimtari ekonomike, dhe e dimë që kjo ka shkaktuar dëme. Ne e dimë që 90% e këtyre ndërmarrjeve janë mikrondërmarrje dhe ndërmarrje të vogla që nuk posedojnë kapital rezervë dhe likuiditeti i tyre është i vogël, duke rrezikuar kështu mbylljen e tyre dhe humbjen e vendeve të punës për shumë punëtorë”, u shpreh Hajdari.

Hajdari tha se kanë marrë masa në mënyrë që të krijojnë kushte për të përmbushur nevojat e punëtorëve të cilët nuk mund të paguhen nga ndërmarrësit. Për pakon e rimëkëmbjes ajo tha se janë duke biseduar me bizneset, odat përkatëse dhe sindikatën e sektorit privat.

“Jemi në proces të draftimit të Ligjit të Punës që të përmirësohen kushtet e punës. Kemi planifikuar edhe rritjen e inspektorëve të punës që të sigurojmë respektimin e drejtave të punëtorëve”, tha ajo.

Hajdari ndër të tjera tha se sektori i ndërtimtarisë e cila planifikohen të vazhdojë me punën nga 4 maji, do të jenë të organizuar që të respektojnë masat e IKSHP-së.

“Duke përdor maska, duke mbajtur distancën. Puna nuk do të jetë si më parë. Është e domosdoshme aplikimi i masave dhe kujdesit, pastaj puna”, u shpreh Hajdari.

Ndërsa, zëvendësministri Edison Jakurti tha se Kosova ka papunësinë më të lartë, por as me punësim nuk zgjidhen problemet e tyre, meqë të njëjtit nuk kanë as sigurim shëndetësor e as kontrata.