Mbrëmë është konfirmuar rasti i parë me COVID-19 në Mitrovicë. E infektuara dyshohet se ka pasur kontakt me gjithsej 96 persona, 84 prej të cilëve punëtorë të ETC-së.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Komuna ka njoftuar se ata do të testohen nga IKSHPK-ja, dhe se janë rekomanduar për vetizolim për dy javët e ardhshme.
“Fillimisht në këtë mbledhje u potencua se ekipet nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, dhe ekipin komunal për menaxhimin e emergjencave, kanë evidentuar të gjitha rastet e kontaktit të të infektuarës, të cilët janë gjithsej 96 persona, 84 punëtorë të ETC-së, ndërsa të tjerë familjarë që do të testohen nga IKSHPK-ja, dhe janë rekomanduar për vetizolim për dy javët e ardhshme”, thuhet në komunikatë.
Pas këtij rasti, Bahtiri ka propozuar masa shtesë për të gjitha supermarketet që veprojnë në Mitrovicë, në mënyrë që qytetarët të jenë të mbrojtur më shumë nga ky virus.
“Të gjitha këto masa të propozuara nga kryetari Bahtiri janë përkrahur unanimisht nga të gjithë anëtarët e shtabit emergjent komunal, duke bërë të ditur se ato biznese të cilat nuk respektojnë këto rekomandime nga vendimi i shtabit emergjent të Mitrovicës, do të rrezikojnë me mbylljen e biznesit të tyre, dhe për personat të cilët nuk zbatojnë rekomandimet nga institucionet lokale dhe ato qendrore, nga organet e rendit do t’u ngritët vepër penale”, thuhet në komunikatë.
Masat shtesë:
1. Asnjë qytetari të mos i lejohet hyrja në supermarkete pa dorëza dhe maskë.
2. Të vendoset në hyrje një tavolinë për ekzaminimin e konsumatorëve me termometër digjital.
3. Të dezinfektohen në tërësi objektet në baza ditore dhe në prani të inspektorëve komunal.
4. Obligohen supermarketet të angazhojnë stafin e tyre për të bërë dezinfektimin e të gjitha shportave dhe karrocave për çdo përdorim.
5. Të jetë në hyrje të çdo supermarketi dezinfektuesi për duar, dhe në të gjitha hapësirat tjera.
6. Secili qytetar është i obliguar të njoftoj organet e rendit për hyrjen e qytetarëve nga komunat e karantinuara.