Qeverisë i kërkohet që të gjithë punëtorët të përfshihen në Pakon Emergjente

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat në Kosovë ka kërkuar nga qeveria në detyrë, që t’i përfshijë të gjithë punëtorët në Pakon Emergjente.

Në një konferencë me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve – kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi ka thënë se shteti i Kosovës ka dështuar t’u sigurojë punëtorëve pagën mesatare prej 250 euro.

“Që nga paslufta asnjë udhëheq i shtetit nuk folur për raportet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Pozita e punëtorit në sektorin privat është e rëndë”, ka thënë ai.

Por, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me Pakon Fiskale Emergjente është siguruar që punëtorët që nuk mund të paguhen nga punëdhënësi të kompensohen nga Qeveria.

Ai e ka potencuar pozitën e rëndë të punëtorëve në Kosovë.

“Puna pa siguri, pa kontratë, pa kontribute pensionale, pa sigurim shëndetësor, e pa të drejta për pushim me pagesë, është më shumë normë se përjashtim. Praktikisht, është marrëdhënie pa virtyt, që e zhvesh punëtorin nga dinjiteti, duke e reduktuar në fuqi të thjeshtë punëtore”, ka thënë Kurti, sipas të cilit kjo marrëdhënie duhet dhe do të ndryshojë.