Nis heqja e barrikadave në Rudarë


Ka nisur në Rudarë tërheqja e automjeteve që ishin vendosur si barrikada në rrugët në veri të Kosovës.

Fshati Rudarë gjendet rreth pesë kilometra nga Mitrovica. Nëpër të kalon magjistralja për në Jarinjë.

Policia e Kosovës ka rikonfirmuar të hënën se pikë kalimet kufitare në Jarinje e Bërnjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të tyre, me mjete të rënda.

Po ashtu, Policia ka njoftuar se vendimi për pajisje me dokumentin hyrje-dalje po vazhdon të zbatohet.

“Vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi. Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona/grupe të organizuara kriminale”, thuhet në njoftim. /Rel/