Kurti: Nuk jemi për dokumentet e përkohshme, por po e bëjmë atë që Serbia e bën me qytetarin tonë


Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e drejtuar prej tij nuk ka qenë asnjëherë për të vendosur dokumente të përkohshme për qytetarët serbë që hynë në territorin kosovar, por që sipas tij, po e bën atë që Serbia e ka bërë vazhdimisht me qytetarët kosovarë.

“Ne nuk do të kishim preferuar dokumentet e tilla. Mirëpo, nëse qytetari i jonë e merr një dokument të tillë, duhet ta merr edhe një qytetar serb. Siç nuk kemi qenë për targat e përkohshme, mirëpo përderisa ka një të tillë për qytetarin tonë kur hynë në Serbi, ka nevojë që të ketë edhe për qytetarin serb që hynë në Kosovë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media të shtunën në Aeroportin “Adem Jashari”. 

Nga 1 gushti qytetarët e Serbisë që hynë në Kosovë do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje në të të gjitha pikat kufitare, një masë të ngjashme të cilën tash e sa vjet e aplikon Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu nga 1 gushti fillon regjistrimi i veturave që posedojnë targa ilegale që të kthehen në targa RKS.