Avokati Dastid Pallaska, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për citim të Kushtetutës së Serbisë në kërkesën që i ka parashtruar Gjykatës Kushtetuese për interpretim të dekretit të presidentit Hashim Thaçi për Avdullah Hotin, si mandatar për krijimin e qeverisë së re.
Pallaska përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është e turpshme për Lëvizjen Vetëvendosje të citoj Kushtetutën e Serbisë, përkundër faktit që kjo Kushtetutë përcakton se “Kosova është pjesë e Serbisë”.
Postimi i plotë:
E pabesueshme.
Lëvizja Vetëvendosje citon Kushtetutën e Serbisë në kërkesën e vet në Gjykatë Kushtetuese përkundër faktit që Neni 182 i kësaj Kushtetute përcakton se “Kosova është pjesë e Serbisë.”
Kjo Kushtetutë nuk ishte dashur të citohej edhe nëse do të ishte e vetmja që i shërben argumenteve të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë rast.
Është hera e parë që pas pavarësimit të vendit që në dokumente zyrtare nga bartës të funksioneve publike legjitimohet një dokument që e mohon shtetësinë e Kosovës!
E turpshme edhe për Lëvizjen Vetëvendosje!