Ish-shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Joachim Reucker, vlerëson se mandati i këtij misioni që vazhdon të shërbejë është sosur.
Në një intervistë për KlanKosova.tv, ish-kryeadministratori i Kosovës, deri në shpalljen e pavarësisë, thekson se shkaku i mospajtueshmërisë së Rusisë nuk mbaron së funksionuari ky mision.
Ai në qëndrimet e tij thotë se tani është koha e duhur që të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi, mbi parimin e njohjes reciproke.
Reucker ka folur për pushtimin që Rusia i ka bërë Ukrainës dhe cenueshmërinë e Ballkanit Perëndimor nga kjo luftë, por edhe hapat që duhet ndërmarrë vendet veç-e-veç.
Me profesion prej ekonomisti, gjermani, më tej udhëzon edhe si duhet përballur me krizën aktuale ekonomike, ku sugjeron mbështetjen në politikat fiskale e monetare.
Keni qenë shef i UNMIK-ut përgjatë viteve 2006-2008, periudhë në të cilën Kosova shpalli pavarësinë. Cilat ishin sfidat dhe cili ishte niveli i bashkëpunimit me institucionet kosovare, para dhe pas pavarësisë?
Joachim Ruecker: Sfidat qenë të shumta. Disave mund t’u kujtohet që sipas Rezolutës 1244 së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNMIK-u, kishte tri përgjegjësi të ndryshme: 1) Administrimin e Kosovës dhe bartjen e sa më tepër funksioneve që të ishte e mundur tek partnerët e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse (roli qeverisës); 2) Të mbështesë aktivitetet për ruajtjen e paqes dhe ato për ndërtimin e saj me të gjitha komunitetet (roli paqeruajtës); dhe 3) Ta lehtësojë procesin e përcaktimit të statusit politik përfundimtar të Kosovës, që në atë kohë nënkuptonte: mbështetje e përpjekjeve të Presidentit Martti Ahtisaari (roli i procesit të statusit).
Bashkëpunimi me institucionet e Kosovës ishte i mirë, para se pas shpalljes së pavarësisë, gjithashtu edhe për shkak se kompetencat e Përfaqësuesit të Posaçëm së Sekretarit të Përgjithshëm dhe UNMIK-ut – së paku në parim – ishin të pakundërshtueshme për një periudhë të përkohshme prej katër muajsh.
Pas largimit tim në fund të qershorit 2008, megjithatë, Kosova hyri në një fazë të re, ku ne kishim ndihmuar në përgatitjen e saj. Gjatë kësaj faze, roli i UNMIK-ut ishte i tepërt dhe ai u rikonfigurua në prani shumë më të vogël. Kjo është edhe arsyeja se pse disa media më quajtën “Përfaqësuesi i Posaçëm tradicional i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm”.
Një muaj pas shpalljes së pavarësisë, gjatë një vizite në Mitrovicën e Veriut, keni pas thënë: “Nuk ka ndarje të Kosovës”. Kjo çështje nuk është tema tani, por për të u diskutua në shumë qarqe, sikurse edhe tema për shkëmbim territoresh. Pse është folur aq gjatë kjo çështje? Çfarë ka qenë qëllimi?
Joachim Ruecker: Është përfolur vite më parë që, politikanë në Prishtinë, Beograd, Uashington dhe vende të tjera e kanë shqyrtuar seriozisht shkëmbimin territorial si një “zgjidhje” për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Vazhdoj të mendoj se kjo është një ide e keqe, ngase rivendosja e kufijve nën atë që duket si kriter etnik është një koncept i turpshëm. Kështu që, e mirëpres që kjo është jashtë tryezës.
Këtë vit Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Gjithashtu është paralajmëruar përgatitja për aplikim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ç’mendim keni për këta hapa dhe a shihni mundësi që të realizohen?
Joachim Ruecker: Mendoj që aplikimi për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës është lëvizje e mirë dhe kam besim se dy të tretat e shumicës mund të arrihen për ta bërë Kosovën anëtare. Sa i përket NATO-s dhe BE-së, perspektivës Euro-Atlantike të Kosovës, besoj fuqishëm se Kosova duhet anëtarësuar, por që do të ishte në periudhë afatmesme, duke pasë parasysh një numër kërkesash, përfshirë unanimitetin ndër anëtarët aktualë.
Zyrtarisht ka 117 shtete që e njohin pavarësinë e Kosovës, por janë pesë vende anëtare të BE-së, Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro, që ende nuk e kanë bërë këtë. Cila është rruga që duhet ndjekur dhe sa mund të ketë ndikim BE-ja si tërësi që ato të ndryshojë qasje?
Joachim Ruecker: Mendoj se progresi i dukshëm në dialogun Kosovë-Serbi do të ishte mënyra më e mirë për t’i bërë këto shtete që ta shqyrtojnë pozicionin e tyre.
Por ky proces z.Ruecker po zgjat tash e gati 11 vjet. Ka disa marrëveshje teknike të arritura, por jo ajo politike, derisa njohja reciproke zë vend në diskursin ndërkombëtar, veçanërisht së fundmi. Pas kaq shumë vitesh bisedime, a është koha e duhur tani që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse?
Joachim Ruecker: Absolutisht, po! Është koha për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë natyrisht, njohjen reciproke. Kështu që unë mbështes fuqimisht të gjitha përpjekjet në këtë drejtim, në veçanti ato të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së.
Pas UNMIK-ut, në Kosovë vazhdon të shërbejë edhe një mision tjetër ndërkombëtar, EULEX. Nga disa institucione në Kosovë, si Presidenca, ka një qëndrim që mandati i UNMIK-ut duhet të përfundojë. Si mendoni ju, a është koha që ky mision të tërhiqet nga Kosova?
Joachim Ruecker: Po, mendoj se nga një pikëpamje praktike, mandati i UNMIK-ut ka mbaruar. Megjithatë, për momentin, nuk duket se anëtari i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia, do të pranojë t’i japë fund zyrtarisht Rezolutës 1244 dhe UNMIK-ut.
Kur jemi te Rusia, ajo ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të këtij vitit. Cila duhet të jetë përgjigja e Perëndimit për këtë luftë?
Joachim Ruecker: Është me rëndësi të pranohet që Rusia është duke shkelur jo vetëm parimet perëndimore, por edhe ato universale. Për këtë arsye, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me një shumicë dërmuese prej 141 shtetesh, ka dënuar ashpër agresionin rus kundër Ukrainës.
Sa kjo luftë e kërcënon Ballkanin Perëndimor, duke ditur që Serbia është aleat i Rusisë?
Joachim Reucker: Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, besoj që është obligim i të gjithë kandidatëve aktualë dhe të ardhshëm të BE-së që t’i harmonizojnë politikat e tyre me ato të BE-së, përfshirë sanksionet kundër Rusisë. Është shqetësuese që Serbia nuk është duke e bërë atë dhe që disa media atje vazhdojnë të shërndajnë dezinformata. Porositë e BE-së dhe NATO në lidhje me Beogradin por edhe Banja Llukën, duhet të jenë shumë të qarta.
Ju zoti Ruecker me profesion jeni ekonomist. Aktualisht bota po përballet me krizën infacioniste. Çfarë duhet të bëhet sipas juve në mënyrë që ajo t’i kthehet normalitetit ekonomik?
Joachim Ruecker: COVID-19, agresioni rus, boshllëqet globale në zinxhirin furnizues dhe tani inflacioni janë padyshim probleme të ndërlidhura. Rruga përpara duhet të përfshijë optimizimin e zinxhirëve furnizues dhe globalizimin në mes të përdorimit të proteksionizmit, që nuk ndihmon. Gjithashtu duhet të përfshihet mbështetja e duhur për politikat monetare dhe fiskale që për momentin nënkupton: norma pozitive të interesit, së paku në parim, një angazhim për stabilitetin fiskal. /KlanKosova.tv/