Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, paralajmëroi të martën takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Osmani shkroi në Twitter se me Blinkenin do të takohen “për ta forcuar më tej partneritetin e hekurt”.
“Do t’i diskutojmë mënyrat për t’i afruar dy popujt dhe vendet tona, në këtë kohë kyç për demokracinë, paqen dhe sigurinë në mbarë botën”, njoftoi presidentja.
Ndërkohë në një njoftim të Zyrës së Presidentes, takim me Blinkenin do të ketë edhe kryeministri Albin Kurti.
“Takimi do të mbahet sot në Departamentin Amerikan të Shtetit në ora 16:30, sipas orës lokale në Uashington D.C., respektivisht në ora 22:30 sipas kohës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, udhëtuan të hënën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nënshkrimin e marrëveshjes 200-milionëdollarëshe me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.
Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka miratuar në fund të qershorit Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh. Marrëveshja ka të bëjë me projektet për energjinë.