Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi të hënën se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në aspektin ligjor, nuk e paraqiti saktë sulmin ndaj zyrtarëve policorë në Leposaviq, që ndodhi të shtunën mbrëma në një aksion kundër kontrabandës.
Nëpërmjet një komunikate, PSRK-ja tha se deklarimi i Sveçlës se “zyrtarët policorë i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen” dhe “Prokuroria nuk u përgjigj pozitivisht edhe pas këmbënguljes”, nuk është e saktë, pasi sipas PSRK-së, nuk është në diskrecion të Qeverisë të përcaktojë se kur rastet duhet hetuar nga prokuroritë themelore, e kur nga PSRK-ja.
“Për korrektësi, ju njoftojmë se për këtë rast, Policia e Kosovës nuk ka ndjekur vijën e rregullt të komunikimit zyrtar të përcaktuar për rastet e hetimeve – komunikimin me prokurorin kujdestar, por ka komunikuar me prokurorin përgjegjës për terrorizëm në PSRK, i cili pasi ka marrë informatat nga policia, ka vlerësuar se rasti nuk ka elemente terrorizmi dhe të njëjtit i udhëzon që nëse nga veprimet e mëtejmë të policisë mund të rezultojë se ka elemente të terrorizmit, të njoftohet prokurori kujdestar në PSRK”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria Speciale deklaroi se nuk ka pranuar asnjë raport zyrtar nga Policia për rastin, nëpërmjet të cilit “do të mund të përcaktohej nëse është kompetente ose jo për të trajtuar këtë rast”.
Sipas PSRK-së, nga informatat konstatohet se vepra në fjalë nuk është kompetencë e këtij institucioni, por e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. Prokuroria iu bëri thirrje zyrtarëve shtetërorë që të përmbahen nga deklarime të tilla, pasi sipas saj, nuk i kontribuojnë hetimit të pavarur e profesional.
“Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga njoftimi zyrtar i Policisë për PSRK-në, ku përshkruhen veprat për të cilat janë filluar hetimet nga prokuroria kompetente. Përmes këtij njoftimi, PSRK-ja siguron qytetarët se mbetet maksimalisht e përkushtuar për të përmbushur mandatin ligjor në luftimin e të gjitha formave të krimit, brenda kompetencës së përcaktuar me ligj, prandaj kërkon nga të gjithë zyrtarët shtetëror që të përmbahen në deklarime të ngutshme dhe të pasakta, veçanërisht nga ato që kanë të bëjnë me hetime të rasteve, sepse deklarime të tilla, nuk i kontribuojnë hetimit të pavarur dhe profesional të rasteve dhe mund të krijojnë huti në opinion, gjë që dëmtojnë imazhin e institucioneve të drejtësisë dhe zbehin besimin e publikut në punën e tyre”, thuhet tutje.