Më shumë se 3.8 milionë amerikanë të papunë kanë kërkuar ndihmë nga autoritetet gjatë shtatë ditëve të fundit për shkak të krizës ekonomike, që vlerësohet të jetë më e rënda që nga viti 1930.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve amerikanë që kanë kërkuar dëmshpërblim financiar që nga shpërthimi i pandemisë – gjashtë javë më parë – ka arritur në 30.3 milionë.
Kjo shifër, sipas agjencisë AP, është më shumë se popullsia e Nju Jorkut dhe Chicikagos me zonën përreth.
Ekspertët parashikojnë që shkalla e papunësisë mund të arrijë në 20 për qind në muajin prill.
Ekonomia amerikane u tkurr për 4,8 përqind në tremujorin e parë, dhe vlerësohet se mund të bjerë me një rekord prej 40 për qind në tremujorin e dytë (prill-qershor).
Ky nivel i rënies nuk ka ndodhur gjatë asnjë tremujori, që nga koha e pas Luftës së Dytë Botërore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani kanë numrin më të lartë në botë të personave që kanë vdekur nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri. Numri i të infektuarve ka arritur në 1,040,488, ndërkaq, nga koronavirusi kanë humbur jetën 60,999 amerikanë.