Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, vdiq pasi u sulmua me armë zjarri në një ngjarje në qytetin Nara, raporton transmetuesi japonez, NHK.
Abe, 67 vjeç, po mbante një fjalim për zgjedhjet, kur u qëllua me dy plumba.
Sulmuesi i dyshuar u arrestua në vendin e ngjarjes, ndërsa Abe u dërgua menjëherë në spital në gjendje të rëndë.
“Sipas një zyrtari të lartë të LDP-së [partisë së Abes], ish-kryeministri vdiq në një spital në Kashihara, rajoni Nara, ku po merrte trajtim mjekësor. Ai ishte 67 vjeç”, raportoi NHK.
Sipas burimit të njëjtë, sulmuesi i dyshuar, i identifikuar si Tetsuya Yamagami, 41 vjeç, i ka thënë policisë se ishte i pakënaqur me Aben dhe se donte ta vriste.
“Cilado qoftë arsyeja, një akt i tillë barbar nuk mund të tolerohet kurrë dhe ne e dënojmë ashpër atë”, tha sekretari i kabinetit japonez, Hirokazu Matsuno.
Abe ka thyer rekordet si kryeministri më jetëgjatë i Japonisë.
Ai ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020. Atëbotë, ai ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore. Më vonë ka zbuluar se i është kthyer koliti ulceroz – një sëmundje e zorrëve.
Abe është pasuar nga aleati i tij i ngushtë i partisë, Yoshihide Suga, i cili më vonë është zëvendësuar nga Fumio Kishida.
Incidentet me armë zjarri janë të rralla në Japoni. Armët e dorës atje janë të ndaluara.
Ngritja në pushtet
Me pseudonimin “Princ”, Shinzo Abe ka qenë djali i ish-ministrit të Jashtëm, Shintaro Abe, dhe nipi i ish-kryeministrit, Nobusuke Kishi.
Ai është zgjedhur për herë të parë në Parlament në vitin 1993, ndërsa më 2005 është bërë anëtar i kabinetit, duke u emëruar sekretar kryesor nga kryeministri i atëhershëm, Junichiro Koizumi.
Më 2006, Abe është bërë kryeministri më i ri i Japonisë së pasluftës.
Megjithatë, një sërë skandalesh – duke përfshirë humbjen e të dhënave të pensioneve nga Qeveria – kanë prekur administratën e tij.
Në shtator të vitit 2007, ai ka dhënë dorëheqje, për shkak të kolitit ulceroz.
Abe është kthyer si kryeministër në vitin 2012, duke thënë se ka kapërcyer sëmundjen me ndihmën e mjekimeve.
Ai është rizgjedhur më pas në vitin 2014 dhe në vitin 2017, duke u bërë kryeministri më jetëgjatë i Japonisë.
Popullariteti i Abes është luhatur, por ai ka mbetur kryesisht i pasfidueshëm si kryeministër, për shkak të ndikimit në partinë e tij LDP, e cila i ka ndryshuar rregullat e saj për t’i mundësuar atij që të shërbejë edhe mandatin e tretë si lider partie.