Urdhërarresti ndaj Radojçiqit, ende në fuqi

Urdhërarresti ndaj Milan Radojçiqit për rastin “Brezovica” është ende në fuqi, ka konfirmuar prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku.

Të martën, Radojçiqi iu adresua publikut me një videomesazh nga veriu i Kosovës. Duke nisur me fjalët se “terrori mbi popullatën serbe ka nisur”, Radojçiqi ka shtuar se është kthyer në veri e se “s’ka më kthim prapa”.

Megjithatë, Maloku ka shprehur dyshime për kohën kur është realizuar videoja.

“Autoritetet duhet ta arrestojnë atë. Ai normalisht ka mundur të vijë ta bëjë një postim dhe të dalë [nga territori i Kosovës] ose të ketë një incizim të mëhershëm dhe ta lëshojë dhe të krijojë ndonjë ndjenjë te serbët për qëllime politike. Unë as që e besoj që ka qenë [në Kosovë], por megjithatë u takon rrugëve të Qeverisë që t’i verifikojnë ato të dhëna”, ka thënë Maloku në një deklaratë për Radio Evropën e Lirë.

As Qeveria dhe as Policia e Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me atë nëse kanë informacione se Radojçiq gjendet në Kosovë dhe nëse janë duke ndërmarrë ndonjë veprim për këtë çështje.

Autoritetet në Kosovë këtë vit kanë lëshuar një urdhërarrest për Radiojçiqin pasi dyshohet për ndërhyrje në rastin e njohur si “Brezovica”, përkatësisht për “frikësim të dëshmitarëve gjatë procedurës penale”. Në të njëjtin rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është arrestuar edhe zyrtari i Listës Serbe, njëherësh ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq. Rasti “Brezovica” ka të bëjë me lëshimin e lejeve të kundërligjshme në kompleksin turistik në Brezovicë. Prokuroria ka thënë se disa prej të dyshuarve, përfshirë Nikoliqin, kanë marrë dhurata, vila dhe vetura, në këmbim të lejimit të ndërtimit në mënyrë të kundërligjshme në Brezovicë. Më 6 janar, autoritetet kosovare njoftuan se lidhur me rastin “Brezovica” kanë ngrirë rreth 6 milionë euro të të pandehurve, që dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Milan Radojçiq kishte arritur që t’u ikte zyrtarëve policorë kosovarë në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut në veri të Kosovës. Policia atëkohë deklaroi se më 3 shkurt, Radojçiqit i kishin kërkuar që të parkonte veturën, në mënyrë që të kryheshin kontrollet policore, por ai ishte larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë. Lidhur me këtë ngjarje, tre zyrtarë policorë të Kosovës ishin suspenduar nga puna.

Maloku ka deklaruar se nuk beson që Radojçiqi mund të hyjë në Kosovë përmes pikëkalimeve të rregullta kufitare, por vetëm përmes rrugëve ilegale.

Ndaj Milan Radojçiqit më herët kishte pasur edhe një fletëarrest nën dyshimet se kishte qenë i përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, ai urdhërarrest ishte tërhequr pa shpjegim në mars të vitit 2021.

Radojçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet se së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.