Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas deklaratave të mbrëmshme rreth çështjes së vendndodhjes së kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Behgjet Pacolli.
E ka përmendur edhe çështjen e negociatave mes VV-LDK për koalicion, ku marrja e qeverisjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme, zvarriti arritjen e marrëveshjes.
Mustafa, ka kritikuar edhe ushtruesin e detyrës në MPB, Xhelal Sveçlën, i cili dje tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkelur protokollin shtetëror të martën duke shkuar në Shqipëri duke mos njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme.
“Në takimin me z. Kurti për ndarjen e përgjegjësive në koalicionin qeverisës VV-LDK, ministrinë e parë e zgjodha atë të Punëve të Brendshme. Isha pak në siklet se si ta arsyetoj që për LDK-në, prioriteti i saj si parti që është themeluar dhe drejtuar nga intelektualë dhe akademikë është kjo fushë!”, shkruan Mustafa.
“Zgjidhja ishte reflektim i frikës dhe dyshimit se VV do ta keqpërdorë këtë ministri për burgosje të kundërshtarëve, për sajime të dosjeve, për kërcënime, se do t’u hakmerret policëve dhe eprorëve të tyre që i mbronin institucionet atëherë kur VV ushtronte dhunë. E përcolla, rastësisht, mbrëmë zëvendësministrin në detyrë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Në emër të kësaj ministrie, ai pa fije përgjegjësie ligjore dhe as turpi, kërcënonte me arrestim një deputet, kryetar të një partie parlamentare dhe biznesmen qe punëson dhe krijon të ardhura për mijëra familje kosovare”, shkruan tutje Mustafa në Facebook.
Dje, Sveçla ka thënë se nëse del të jetë i vërtetë raportimi se me Thaçin në Kosovë ka hyrë edhe deputeti Behgjet Pacolli, policia do të ndërmarrë masat ndaj kreut të AKR-së. Por këtë e kritikoi ashpër sot Mustafa.
Mustafa, tutje ka thënë se po të ishte ministër në MPB Agim Veliu, nuk do ta kërcënonte Thaçin siç bëri sipas tij mbrëmë Sveçla.
“Kërcënonte edhe Presidentin e vendit. I thërriste në mejdan. Të nderuar qytetarë, këtë nuk do ta bënte për jetë të jetëve, z. Agim Veliu, i cili u shkarkua arbitrarisht nga z. Kurti sikurse asnjë ministër tjetër i LDK-së”, thotë Mustafa.
“Të kërcënojë një zëvendësministër në detyrë se do të arrestojë deputetin, që ka legjimitet të përfaqësimit të qytetarëve, është argument se ai është vënë mbi ligjin. Deri më sot, qytetarët i ka arrestuar policia me kërkesë të prokurorit apo në flagrance, por jo me diktate politike të ministrave dhe zëvendësministrave, sepse si të tillë, ata janë të emëruar politik”, shkruan tutje Mustafa.
Mustafa, thotë se “Policia drejtohet nga drejtori i policisë, dhe vepron sipas Ligjit për Policinë, nuk drejtohet nga ministri dhe zëvendësministri, qofshin në detyrë apo jashtë detyre”.
“Unë pres që prokuroria ta trajtojë një sjellje të tillë, nëse jo të arsyetojë bazën ligjore të një kërcënimi të tillë puçist ndaj një deputeti”, përfundon Mustafa.