Rritje e ndjeshme e rasteve të reja me COVID-19 është regjistruar në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë të mërkurën. Nga 986 testime të kryera, 17.95 për qind e tyre kanë rezultuar pozitive. Janë regjistruar 177 raste të reja, që paraqet shifrën më të lartë ndër muaj në vend.
Në të njëjtën kohë janë shëruar 13 pacientë. Numri i rasteve aktive, pas trendit rritës ditëve të fundit, ka shkuar në 486. Para dy javësh, më 15 qershor, ishin 67 raste aktive.
Shifrat të ulëta mbesin në procesin e vaksinimit. Vetëm 70 doza të vaksinave anti-COVID janë dhënë në 24 orët e fundit. Në nivel vendi, numri total i dozave të administruara ka shkuar në 1.83 milionë. 103 mijë qytetarë janë vaksinuar me nga tri doza, ndërsa 823 mijë i kanë marrë të paktën dy.