Jabllanoviq e konfirmon se Sveçla i dha leje speciale për qarkullim

Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, e ka pranuar se ka marrë leje për qarkullim nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Jabllanoviq ka konfirmuar për Gazetën Express se ka marrë leje nga Sveçla.

“Po, kam marrë leje, pasi në formë të shkruar iu drejtova MPB’së së Kosovës. Nuk shoh arsye pse kjo leje është e veçantë, pasi atë e kanë edhe përfaqësuesit e partive tjera, e ajo mua ma bën të mundur që ta kryej punën time, që lidhet me çështjet politike, në këto momente të vështira për të gjithë ne”, ka konfirmuar Jabllanoviq për Express.

Jabllanoviq ishte ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Isa Mustafës, por ishte shkarkuar pas disa deklaratave fyese për nënat e Gjakovës.

Asokohe, Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë protesta dhe kishte kërkuar shkarkimin e Jabllanoviqit.

Ai dikur ishte pjesë e Listës Serbe, para se të formonte partinë e tij.

Gazeta Express ka siguruar një dokument të MBP’së, nëpërmjet të cilit Jabllanoviqit i lejohet qarkullimi edhe në zonat në karantinë.

“Lejohet qarkullimi hyrje-dalje në të gjitha zonat në karantinë si dhe në zonat tjera gjatë orëve ku është i ndaluar qarkullimi në Republikën e Kosovët për z. Aleksandar Jabllanoviq…”, thuhet në vendim, i shkruar në gjuhën serbe.