Naftëtarët pritet të mbajnë mbledhje këtë të martë, për të shqyrtuar Udhëzimin Administrativ të publikuar një ditë më parë nga Qeveria e Kosovës lidhur me rregullimin e çmimeve të naftës.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, pasi është pyetur për të komentuar këtë vendim të ekzekutivit.
“Ende nuk kemi mbajtur takim si shoqatë e naftëtarëve për të paraqitur qëndrimin karshi Udhëzimit Administrativ të Qeverisë për caktimin e marzhës shitëse të derivateve. Takimi do të mbahet të martën”, deklaroi Berjani.
Siç njoftoi Qeveria të premten, Udhëzimi Administrativ në fjalë zbatohet vetëm ndaj karburanteve të përdorshme në transport.
Në nenin 4 të këtij Udhëzimi, thuhet se mund të rregullohen çmimet duke caktuar marzhën tregtare maksimale të lejuar: dy eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë dhe dymbëdhjetë eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.
Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se Udhëzimi Administrativ do t’i mbrojë konsumatorët e konkurrencën dhe do të mënjanojë çrregullimet e çmimeve në treg.
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, ajo deklaroi se kanë vërejtur mospërputhje të çmimeve të derivateve të naftës në treg.
Në anën tjetër, Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës i pati dërguar letër Qeverisë së Kosovës me anë të së cilës kërkonte që marzha të caktohet duke u bazuar në nivelet e çmimeve aktuale. Pra, shitja me shumicë 3 për qind dhe ajo me pakicë 12 për qind.
Madje, patën paralajmëruar që nëse këto kërkesa nuk merren parasysh, atëherë do të ndërmarrin masa, përfshirë edhe mbylljen e pikave të derivateve në tërë vendin. /Telegrafi/